14 Gusht, 2022 - 3:22 pm
Pas sulmit që u bë ndaj autorit të njohur, Salman Rushdie gjatë një leksioni në Nju-Jork, duket se edhe shkrimtarë të tjerë kanë nisur të kërcënohen.
Autorja e sagës “Harry Potter”, Joanne Rowling, e njohur si J.K.Rowling, ka reaguar nëpërmjet një postimi në Twitter ku shprehte trishtimin për sulmin kundrejt Salman Rushdie, por pikërisht në këtë postim, ajo është kërcënuar.
Një mbështetës i sulmit ndaj autorit i ka shkruar shkrimtares: “Mos u shqetëso, e ke ti radhën”.
Rowling menjëherë përditësoi fansat duke i falënderuar për mbështetjen dhe duke i njoftuar se në çështjen e kërcënimit është përfshirë edhe policia.
Për sa i përket gjendjes së Salman Rushdie, ai është nën përkujdesjen e mjekëve dhe thuhet se për shkak të goditjes me thikë në pjesën e qafës, mund të humbasë syrin. /KultPlus.com