25 Korrik, 2018 - 9:16 pm
Kanë mbetur më pak se 10 ditë nga fillimi i festivalit më të madh i filmit dokumentar në rajon, DokuFestit dhe në qytetin ku mbahet. në Prizren, janë ndërmarrë të gjitha masat për mbarëvajtje të tij.
Të paktën kështu ka thënë kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka,transmeton Koha.net.
Lidhur me këto përgatitje, Haskuka ka shkruar në Facebook: .
Me tre gusht fillon DokuFest-i, festivali më i madh i filmit dokumentar në rajon, i cili pritet të tejkalojë mbi 40.000 vizitorë vendorë e ndërkombëtarë në të gjitha programet e tij.
Pos 200 të ftuarve nga 70 shtete të ndryshme, që përbëjnë juritë, programet dhe panelet e ndryshme të festivalit në Prizren çdo ditë do të organizohen pritje të ndryshme nga shumë organizata e ambasada të akredituara në Kosovë.
Me fjalë të tjera këtyre ditëve tërë bota do të jetë në Prizren ndërsa për Komunën tonë është posaçërisht me rëndësi aspekti i sigurisë gjatë festivalit.
Për këtë arsye kemi pasur takim shumëpalësh mes organizatorëve të DokuFestit, përfaqësuesëve të Policisë Rajonale e Lokale si dhe Drejtorisë së Inspektorateve në mënyrë që të kordinohen aktivitetet për mbarëvajtjen e organizimit. Gjithashtu në dispozicion do të jenë edhe Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Emergjencave dhe QKMF-ja. Në këto takime jemi dakorduar për shtimin e masave të sigurisë në aspekte të ndryshme, pastërisë, shërbimeve tjera komunale dhe kontrollit të zhurmës në Qendrën Historike të qytetit.
Organizatorët e festivalit janë duke sjellur edicionin më të mirë të DokuFest#17 të cilën Komuna do të plotësojë me shërbime në kapacitet të plotë, në dobi të qytetarëve të saj. Ky është rast që të tregojmë mikpritjen dhe kulturën tonë në përgjithësi.
Mbarëvajtja e festivalit është qëllimi ynë i përbashkët./KultPlus.com