5 Gusht, 2018 - 10:55 pm
Pas një punë intensive rreth dy muajshe në Kosovë, kanë përfunduar me sukses xhirimet e filmit “Shpata prej Druri”, me skenar nga Selman Kılıçaslan dhe me regji të Emre Konuk, regjisor i njohur turk i cili me filmin “Çirak” ka fituar çmime të shumta në festivalet ndërkombëtare dhe në ato në Turqi, përcjellë KultPlus.
“Ikonë Sudio me sukses ofroi të gjitha shërbimet e produksionit për këtë projekt, njëhereshit kjo dëshmoi që Kosova është e gatshme të ofroj shërbime produksioni edhe projekteve të mëdha filmike ndërkombëtare, me ekip profesional si dhe sherbime teknike. Ky projekt i përfunduar me sukses hap dyert e një bashkpunimi me prokucionin Turk i cili realizon projekte të mëdha filmike ne Turqi dhe më gjërë”, shkruhet në postimin e Agon Ukës nga Ikonë Studio.
Uka tutje ka shtuar se ky produkt nuk do të ishte e mundur të realizohej sikurse mos të kishim përkrahjen e Institucioneve si dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Ky shkrim bëhet që në mënyren më të sinqertë të faleminderohen të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e ketij projekt, dua në veçanti të faleminderoj ekipin e filmit, aktorët, Komunën e Mitrovices, Komunën e Prizrenit si dhe Policinë e Kosovës”, shkruhet tutje në postimin e tij.
Ky film sjellë historinë e Hajdarit. Babai i Hajdarit i cili ka lindur në fshatin Krushë të Vogël të Kosovës, Hyseini si personi i vetëm që ka shpëtuar nga një masakër e madhe e serbëve në këtë fshat në luftën e vitit 1999, është zhdukur. Pas disa vitesh me vdekjen e nënës së tij, Hajdari mbetet i vetëm dhe kujdesjen e tij e marrin xhaxhai Nexhati dhe gruaja e tij Fatimja. Hajdar i cili braktis edhe studimet universitare në drejtimin e historisë për shkak të kushteve ekonomike, kishte filluar të ndiqte një shenjë me dëshirën për të gjetur babanë e tij.
Të gjithë aktorët e filmit janë kosovarë, ku aktori kryesor me rolin e Hajdarit është Florist Bajgora. Përveç tij, në kastingun e filmit ndodhen aktorët e njohur si Ylber Bardhi, Fiona Gllavica, Mensur Safqiu, Bislim Muqaj, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Vedat Bajrami, Irena Cahani, Ernest Malazogu, Artiole Hamdiju, Xhevdet Doda etj.
Për herë të parë producentët turq kanë xhiruar një film me gjuhë origjinale shqipen dhe me artistë nga Kosova, po në këtë vend./ KultPlus.com