24 Nëntor, 2017 - 11:30 am
Përfundoi dje edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Rinj dhe Fëmijë, Giffoni Shqipëria. Ishin 7 filmat që u prezantuan, ku mes tyre edhe tre shqiptarë. Dy juritë, që përbëheshin nga 250 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, votuan e shpallën edhe çmimet për këtë edicion.
Filmi “Veloce come il Vento”, me regji të Matteo Rovere, fitoi çmimin e jurisë së grupmoshës 16-vjeçare.
Filmi “At Eye Level”, me regji të Evi Goldbrunner dhe Johachim Dollhopf, fitoi çmimin e jurisë së grupmoshës 13-vjeçare.
Filmi shqiptar “Frymë”, me regji të Artur Gorishtit, fitoi çmimin “Xhanfize Keko”, trofe që mban emrin e regjisores më të njohur shqiptare të filmave për fëmijë.
Mes tyre, një çmim i veçantë u dha në nder të Atjon Zhitit, djalit të Visar Zhitit, ish-ministrit të Kulturës, shkruan Konica.al. Atjoni, i cili studionte në Milano, humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik, ku mbarë opinioni publik u trondit 3 vjet më parë. Çmimi “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë, për këtë vit iu dha nxënëses së shkollës Çajupi, Refxhi Tole.
Ky është edhe edicioni i fundit që ai vjen në këtë format klasik me vizionin dhe gjykimin e filmave më të mirë. Projekti ‘Drejt Giffoni 2020’ do t’i japë atij një fytyrë të re, ku qëllimi është punësimi i të rinjve shqiptarë, në industrinë e filmit./ KultPlus.com