3 Nëntor, 2020 - 11:34 am
Kanë kaluar 20 vjet nga ndarja e regjisorit dhe aktorit të njohur shqiptar, Petrit Llanaj, autorit të dhjetëra filmave, i cili konsiderohet si gjeniu i filmit artistik shqiptar.
Llanaj famën e arriti me filmat e tij të suksesshëm si; “Njësiti gueril”, “Dëshmorët e monumenteve”, “Fijet që priten”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Ndërgjegjja” e shumë filma të tjerë të njohur, ku dhe ka interpretuar në rolin kryesor.
Ka bashkëpunuar me aktorë të mëdhenj shqiptar si; Demir Hyskja, Roza Anagnosti, Fitim Makashi, Sandër Prosi, Ferdinand Radi, Reshat Arbana, Kadri Roshi, Timo Flloko, etj. Karrierën e ka zhvilluar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë, sidomos në Itali e Amerikë, ku ka bashkëpunuar me regjisorë të huaj. Llanaj gjithmonë do të kujtohet nga miqtë e tij, jo vetëm si një regjisor e aktor i suksesshëm, por edhe si njeriu me botë të madhe, që nuk reshti asnjëherë së ndihmuari njerëzit në nevojë.
Në filmat e tij gjithmonë është paraqitur energjik, i fuqishëm, i gjallë, si dhe ka ditur gjithmonë ti transmetojë emocion për publikun. Ai njihej gjithashtu për forcën interpretative dhe për atë krijuese. Për herë të parë ka dalë në skenë me dramën “Zbutësi i kryeneçes”, me të cilin ka mbrojtur diplomën shkëlqyeshëm, ku kishte edhe rolin kryesor. Është regjisor i filmave dhe dokumentarëve; “Një udhëtim i vështirë”, “Përsëri pranverë”, “Kur ndahesh nga shokët”, “Troku”, etj. Ai lindi në Vlorë, në një familje me tradita të larta patriotike, morale e shoqërore.
Firmën e Petrit Llanajt, si aktor dhe si regjisor e mbajnë shumë filma të tjerë artistikë. Ai kreu studimet universitare në Akademinë e Arteve, për Dramaturgji. Nga viti ‘80 e deri sa doli në pension ka punuar si regjisor në Kinostudio. Regjisori dhe aktori Petrit Llanaj ndërroi jetë në 3 nëntor të vitit 2000. /atsh/ KultPlus.com