12 Shkurt, 2021 - 11:45 am
Përkujtohet sot në datën e ndarjes nga jeta, dramaturgu, regjisori dhe aktori i njohur, Ferdinand Radi.
Ai lindi në Durrës më 29 gusht të vitit 1942, në një familje intelektuale dhe artëdashëse çka e tregoi edhe talenti i shumë pjesëtarëve të tjerë të familjes.
Që në moshë fare të vogël, artisti iu dedikua sportit për shkak edhe të të dhënave të tij fizike, madje ka qenë edhe futbollist i ekipit të Dinamos. Gjatë periudhës kur ai punonte në një nga uzinat e Tiranës, ai njihet dhe krijon marrëdhënie shumë të mira shoqërore me artistin Kujtim Spahivogli ç’ka do të ishte edhe një penalizim për të pasi Spahivogli dënohet dhe internohet nga ish-sistemi komunist.
Megjithatë artisti ia doli sërish që të spikaste prej talentit të tij të madh dhe në vitin 1972, fillon të aktivizohet me trupën e aktorëve profesionist në teatrin e të rinjve pranë Institutit të lartë të arteve. Në vitin 1973, Radit iu ndalua sërish pjesëmarrja në Teatrin Kombëtar dhe vetëm në fillim të vitit 1991 ai pranohet si aktor pranë trupës profesioniste të Teatrit Kombëtar.
Gjatë karrierës së tij, artisti ishte i detyruar që të interpretonte vetëm role dytësore apo episodike. Artisti Ferdinand Radi pati edhe një kontribut të madh në kinematografinë shqiptare duke interpretuar në rreth 13 filma.
Artisti u shqua shumë në zhanërin e komedisë për shkak të të dhënave të tij të shkëlqyera, si fizike ashtu edhe interpretative. Në skenë artisti arrinte të ndërthurte në mënyrë të shkëlqyer hulumtimin nga jeta e përditshme. Përveç aftësive në aktrim artisti pas ndërrimit të sistemit, nxori në pah vlerat e tij si regjisor, por edhe si shkrimtar apo krijues i shumë materialeve të inskenuar.
Njëra prej tyre është edhe njëra nga sukseset më të mëdha të artit dhe teatrit shqiptar si komedia “8 persona plus”.
Ai i vlerësua edhe me çmime si kupa e Festivalit të Filmit shqiptar në vitin 1989 në interpretimin e tij në filmin “Historiani dhe Kameleoni”.
Disa nga rolet dhe interpretimet e tij më të arrira janë; “Vjeshtë me stuhi”, “I pesti i zu i gjallë”, “Prefekti”, “Banja”, “Shumë zhurmë për asgjë”, “Njësiti guerril”, “Kur zbardhi një ditë”, “Shtigje lufte”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Historiani dhe Kameleoni”, “Balada e Kurbinit”, “Vdekja e kalit”, “Nata” dhe shumë të tjera. /atsh/ KultPlus.com