16 Korrik, 2024 - 3:00 pm
Arti dramatik përkujton sot, një ndër figurat më të rëndësishme të tij, Loro Kovaçin, i cili u nda nga jeta më 16 korrik të vitit 1966 në Tiranë, duke pasur vlerësimin e dashurinë e publikut, por edhe një sërë çmimesh.
Loro Kovaçi lindi më 30 gusht të vitit 1903 në Shkodër.Pasi përfundoi arsimin bazë në vendlindje ai shkoi në Austri për të studiuar zanatin e rrobaqepësit çka i erdhi në ndihmë edhe më vonë në profesionin e aktorit.
Vitet e arta të karrierës i pati në vitet `50 megjithëse cilësitë e tij artistike i shfaqi që përpara Luftës së Dytë Botërore.
Pas Çlirimit, Loro Kovaçi u bë pjesë e trupës profesioniste e Teatrit Popullor dhe karriera e tij do të vinte në ngritje e sipër për shkak të interpretimeve të shumë roleve që do të kryente. Me trupën profesioniste të Teatrit Popullor ai ka interpretuar mbi 70 role të rëndësishme.
Disa nga interpretimet e tij më të mira janë në vepra si “Vajza me flokë të thinjura”, “Besa”, “Zëri i Amerikës”, “Në tufan”, “Revizori”, “Otello”, “Intrigë e Dashuri” e shumë të tjera. Në kinematografi gjithashtu ai dha një kontribut të madh në filmat “Fëmijët e saj”, “Debatik”, “Furtuna”, “Detyrë e posaçme” etj. Por në kujtesën e publikut është fiksuar me interpretimin e Tuç Makut në filmin “Toka jonë” të regjisorit Hysen Hakani, ku Loro Kovaçi interpretoi në krah të emrave të tjerë të njohur të kinematografisë shqiptare si Mario Ashiku, Marie Logoreci, Roza Anagnosti e Vangjel Heba.
Për shkak të cilësive si aktor dhe kontributit të tij të madh ai u vlerësua edhe me titullin “Artist i Popullit”./ KultPlus.com