27 Janar, 2024 - 2:00 pm
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përkujtoi sot regjisoren e njohur shqiptare, Xhanfise Keko (1929-2007), në 95-vjetorin e saj të lindjes.
AQSHF ndau imazhe të mrekullueshme të Fototekës së saj që dokumentojnë jetën pranë filmit e fëmijëve të regjisores së njohur e nderuar me medaljen “Nderi i Kombit”.
Në përkujtim të 95-vjetorit të lindjes së regjisores Xhanfise Keko (1929-2007), programi @KINOjonë do të shfaqë në sallën e kinemasë në AQSHF filmin “Kur po xhirohej një film” (1981).
Me regji të Xhanfise Kekos, kjo dramë me ngjyra tregon historinë e aktorit të vogël Gencit, i cili përjeton stres për shkak të ndarjes së prindërve të tij, ndërsa po xhirohet një film.
Në vitin 1971 Xhanfise Keko nisi xhirimet e filmit “Kryengritje në pallat” që do t’i jepej publikut në vitin 1972. Më tej do të vazhdonin filma të tjerë si “Mimoza llastica”, “Beni ecën vetë”, film i cili do të vlerësohej me Kupën e Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar; “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Një vonesë e vogël”, “Taulanti kërkon një motër” etj. Këto filma do ta bënin të njohur dhe të dashur si për publikun e vogël, por edhe atë të rritur.Me këto filma Xhanfize Keko përfaqësoi Shqipërinë në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ku u vlerësua me çmime e tituj, si në “Giffoni Film Festival” në Itali, në Festivalin e Filmit në Beograd, Medaljen e Presidentit të Republikës Italiane etj.Por edhe në atdhe Xhanfize Keko do të vlerësohej për punë e saj të madhe në kinematografinë për fëmijë. U vlerësua me “Çmimin e Madh të Republikës”, në vitin 1979. Po në të njëjtin vit iu dha titulli “Artiste e Merituar”, ndërsa 5 vjet më vonë edhe titulli i lartë “Artiste e Popullit”. / KultPlus.com