16 Korrik, 2019 - 12:29 pm
Viti 2019 po karakterizohet me premierat e filmave vizatimorë, të cilët kompania e famshme “Walt Disney” ka vendosur t’i përpunojë dhe t’i prezantojë në një format tjetër. BBC-ja konsideron se për shumë gjenerata filmat e “Disney”-t janë kthim në kohët e mira të fëmijërisë e në komoditet. Sipas tyre, “Disney” po e shfrytëzon në aspektin pozitiv këtë mundësi, duke sjellë sërish në ekranet e mëdha kryeveprat e veta.
“Njerëzit kanë prirjen të kënaqen duke qenë nostalgjikë”, thotë dr. Wijnand van Tilburg, një psikolog dhe ekspert i nostalgjisë në “King’s College London”. Ai e përkufizon nostalgjinë si “një dashuri të zjarrtë ose dëshirë të madhe për të kaluarën”. “Kjo ndjenjë e lidhjes nga vetë e kaluara te vetja e tashme – kjo është diçka që njerëzit e shohin si shumë kuptimplotë në jetë”, thotë ai. Wijnand e konsideron si emocion të fuqishëm ndjesinë që i bën njerëzit të kthehen në kohë. “Këto kujtime nostalgjike japin një lloj pikture të ngjyrosur të së kaluarës, që i bën njerëzit të ndihen më mirë”, ka theksuar psikologu Wijnand. “Mbreti luan” është filmi i tretë i “Disney”-t që do të jepet premierë këtë vit, pas filmit për elefantin “Dumbo” dhe “Aladdin”.
Këta filma erdhën pas ripërpunimit të filmit “Hirushja” (2015), pastaj “Libri i xhunglës” (2016) dhe “Bukuria dhe bisha” (2017). “Disney” ka njoftuar gjithashtu se edhe filmat “Mulan” dhe “Sirena e vogël” do të publikohen në të ardhmen dhe se planifikohet që edhe shumë filma të tjerë të ripërpunohen.
Filmat e “Disney”-t keni mundësi t’i shihni edhe në Kosovë.
Kinemaja austriake “Cineplexx” do të sjellë më 18 korrik premierën e filmit “Mbreti luan” në disa terminë. Biletat për këtë film kanë dalë në shitje tash e disa ditë.
Tash e shumë vite “Disney” në përgjithësi, por edhe “Disney Land” në veçanti, perceptohet jo vetëm si kënaqësi ose atraksion për fëmijët, por edhe për të rriturit. Punonjësit e “Disney Land”-it i kanë thënë BBC-së se ka shumë raste kur të rriturit e vizitojnë këtë vend pa fëmijët e tyre, ose edhe çiftet e reja që nuk kanë ende fëmijë. Një nga qëllimet kryesore të kompanisë është që t’i bëjë njerëzit të ndihen sikur po kthehen në fëmijëri dhe këtë po e arrijnë shumë mirë edhe përmes filmave./ Zëri/ KultPlus.com