12 Qershor, 2019 - 6:10 pm
ZHAK është filmi i parë i gjatë i animuar i cili është duke u realizuar në Kosovë mirëpo me producent vendor dhe të huaj ndërsa premiera pritet të jepet në Los Angeles, shkruan KultPlus.
Edhe pse produkt vendor ky film synon tregun botëror ku si tematik ka përrallat shqiptare e kështu prezanton kulturën tonë. Me skenar dhe regji të Iliriana Bejta dhe Dalip Gashi, ‘Zhak’ i përket zhanrit fantazi-realizëm magjik dhe si 3D kualitet PG 13 është i përkrahur nga teknologjia Real D-3D dhe IMAX,një risi kjo për filmat e punuar në vend.
Në këtë projekt është duke u punuar që nga shkurti i vitit 2016 dhe ka buxhet prej katër milion eurosh.
Në filmin ‘Zhak’ lufta midis të mirës dhe të keqes modelohet në tri dimensione themelore:
Aventurë përrallore: Zhaku si kalorës antik ilir, përkujdeset për Babën e verbër dhe për Motrën e pamartuar. Dy vëllezërit e tij, Kuqaloshi dhe Nxihuni, kanë dalë me kohë në Mbretërinë e Nëntokës për ta kërkuar barin për shërimin e syve të Babës së verbër, por nuk janë kthyer më. Flitet se Shtriga e Errësirës ka vënë pushtet mbi Mbretërinë e Nëntokës dhe… vëllezërit e Zhakut ose i ka bërë guri ose i ka shndërruar në shërbëtorë të përvuajtur. Zhaku, më në fund, niset vet në aventurë për ta gjetur barin për shërim të syve, për t’i kërkuar vëllezërit dhe për ta shpëtuar Mbretërinë e Nëntokës nga Shtriga e Errësirës.
Dramë familjare: Në filmin ‘Zhak’ shquhet determinizmi përrallor i fatit të individit dhe të shoqërisë që janë të lidhur ngushtë mes veti dhe kushtëzojnë njëri tjetrin. Kjo ndodh me fatin e vajzave të Mbretit Plak dhe me fatin kolektiv të Mbretërisë së Dritës. Vajza e madhe e Mbretit Plak e gjuan shigjetën e fatit dhe ajo bie në Mbretërinë e Nëntokës- sipas zakonit ajo bëhet gruaja e Mbretit të Nëntokës. Vajza e dytë e Mbretit Plak gjuan shigjetën e fatit dhe shigjeta bie në oborrin e Kështjellës Magjike të Shpirtit të Lig- sipas zakonit ajo bëhet gruaja e Shpirtit të Lig që e shndërron në gjysmë grua dhe në gjysmë Shtrigë të Errësirës. Vajza e vogël e Mbretit Plak e gjuan shigjetën e fatit, por ajo i kthehet pingul teposhtë dhe bie mu para këmbëve të saj- sipas zakonit vajza nuk mund të martohet, por bëhet Mbretëresha e Dritës, e zëvendëson Mbretin Plak në fron dhe e sundon njerëzishëm Mbretërinë e Dritës.
Konflikti midis mbretërive: Mbretëria e Dritës dhe Mbretëria e Nëntokës zakonisht jetojnë në harmoni dhe zhvillojnë respekt të ndërsjellë duke respektuar ligjet mbretërore. Mirëpo fati i zi i vajzës së dytë të Mbretit Plak që u shndërrua në Shtrigë të Errësirës ndryshon gjithçka. Ajo nuk pajtohet me fatin e vet, e vret Mbretin Plak kur i shkon në vizitë dhe, për më keq, braktiset dhe ndëshkohet edhe nga vetë burri i vet – Shpirti i lig për shkak të vrasjes familjare. Shtriga e Errësirës, me ndihmën e divave të pyllit magjik, lirohet nga shpella dhe kthehet në Kështjellën e Magjike, organizon shërbëtorë, gjallesa të këqija dhe njësit special me të cilët pushton Mbretërinë e Nëntokës, vret, plaçkitë, shndërron njerëz në guri ose i magjepsë keq nëpër trajta të përçudshme. Vëllezërit: Lavërtarin- që dashurohet në Mbretëreshën e Dritës- e shndërron në Shtrigan të Kështjellës Magjike; Mullisin- që dashurohet në Mbretëreshën e Dritës – e shndërron një Cicërmic me njësit të kërpudhave dhe e vë në krye të Mbretërisë së Nëntokës; kurse Bariun- që dashurohet në Mbretëreshën e Dritës dhe nuk pranon kushte në dashuri- nga inati e shndërron në guri. Njësitet e kërpudhave- në krye me Cicërmicin dhe njësiti special i Shtrigës së Errësirës shpesh dalin edhe në Mbretërinë e Dritës dhe shkatërrojnë fshatra përreth.
Zhaku- me aventurën e vet shërben si bosht fabular dhe syzheik për ta realizuar aventurën përrallore, dramën familjare dhe për ta zgjidhë konfliktin midis mbretërive duke dëshmuar idealin njerëzor se e mira duhet të ngadhënjejë mbi të keqen, gjegjësisht drita mbi errësirën….KultPlus.com