28 Korrik, 2022 - 8:30 pm
Në kuadër të muajit të kinematografisë shqiptare, ministrja e Kulturës, Margariti kujtoi një nga filmat-komedi më të bukur, “Përrallë nga e kaluara”. Filmi, prodhim i vitit 1987, është krijim i regjisorit të shquar, Dhimitër Anagnosti, i cili ka shkruar edhe skenarin. Muzika e filmit është vepër e Limos Dizdarit.
Para disa vjetësh Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit finalizoi projektin e restaurimit të dy filmave nga fondi Anagnosti, filmit artistik “Përrallë nga e kaluara” dhe dokumentarit të shkurtër “Përjetësi”.
Filmi “Përrallë nga e kaluara” nuk ka mundur të hyjë në festivale të rëndësishme, pikërisht sepse ka qenë prodhuar jashtë kushteve teknike.
“Përrallë nga e kaluara” është ekranizim i komedisë “14 vjeç dhëndër” nga Andon Zako Çajupi. Anagnosti rrëfen historinë e martesës së Gjinos 14-vjeçar me Marigonë 28-vjeçare. Me ndihmën e të dashurit të saj, Trimit, Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe në fund “mori atë që deshi”.
Një kast i mrekullueshëm aktorësh, garantoi suksesin e filmit. Në rolet kryesore interpretojnë Elvira Diamanti, Robert Ndrenika, Xhevdet Feri, Admir Sorra, Hajrie Rondo e Xhemil Tagani. / KultPlus.com