30 Nëntor, 2023 - 10:50 am
Me rastin e festave kombëtare, Ambasada e Shqipërisë në Francë, Ambasadori Dritan Tola dhe Ambasadorja e Deleguar e Përhershme e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, organizuan një mbrëmje kinematografike dhe një pritje për të gjithë miqtë e Shqipërisë në Francë.
Mbrëmja u hap me shfaqjen e filmit të restauruar “Përrallë nga e kaluara” të regjisorit të madh shqiptar Dhimitër Anagnosti, i ndjekur nga shfaqja e filmit me metrazh të shkurtër “A short trip” nga regjisori i ri shqiptar Erenik Beqiri, film i cili është edhe kandidatura zyrtare e Shqipërisë për në Oscars.
Prezantimi i kinematografisë klasike shqiptare dhe asaj moderne ishte një ftesë e këndshme për të ftuarit të njohin, vlerësojnë dhe mbështesin artin shqiptar në të gjitha dimensionet e tij.
Këto vlerësime u shprehën edhe nga fjalët përshëndetëse që mbajtën Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, Këshilltarja për kulturën pranë Kryeministrit Rama, Simonetta Dellomonaco dhe regjisori Erenik Beqiri.
Shfaqja e filmit u realizua me bashkëpunimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Filmi “Përrallë nga e kaluara” me regji nga Dhimitër Anagnosti prodhim i vitit 1987 në vendin tonë u përzgjodh më parë që të ishte pjesë e seksionit Treasures & Curiosities i festivalit të filmit klasik, “Festival Lumiere”, në Lion, në tetor të këtij viti. “Përrallë nga e kaluara” është mbështetur mbi disa motive të veprës së Andon Zako Çajupit “14 vjeç dhëndër” dhe më pas skenari është zhvilluar si krijim origjinal i Dhimitër Anagnostit./ atsh / KultPlus.com