Pesë gra dhe tregime nën kulmin ku merr frymë Aga

19 Gusht, 2019 - 4:57 pm

Xhemile Hysenaj

Pesë gra bashkëjetojnë, ndajnë mes vete gëzimet e hidhërimet. Secila e ka një tregim ndryshe prej tjetrës, por në fund të ditës secila bashkohet rreth vuajtjes, nga e kaluara, nga e tashmja.

Pesë ngjarje që kanë të bëjnë me përplasjen e gjeneratave, mohimin e realitetit, kryesisht me të kaluarën e dhimbshme që vjen si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Shto këtu edhe mendësinë patriarkale, dhe tregimi veç sa vjen dhe merr formë.

Kështu trajtohet skenari në filmin “Shpia e Agës”, i cili sot u dha premierë në kryeqytet. As personazhet dhe as filmi nuk janë të bazuar në ngjarje reale.

Regjisorja e filmit, Lendita Zeqiraj – një regjisore e dëshmuar tanimë, tregoi pas filmit se inspirimi i ka ardhur nga këtu ,nga Kosova.

“Inspirimin për film e kam gjetur në Kosovë, jam lindë e rritë këtu, dhe filmi trajton tema të cilat i hasim çdo ditë e disa prej tyre edhe i përjetojmë” tregoi Zeqiraj.

Aktorja Adriana Matoshi u shpreh se ka qenë shumë e vështirë të realizohet personazhi i saj, mirëpo me punën e pandalur të regjisores dhe bashkëpunimin me aktoret e tjera, finalizimi është një sukses që shihet.

Personazhi kryesor i “Shpia e Agës” është një djalë i vogël, i cili gjatë tërë filmit kërkon ta mësojë gjuhën serbe, për ta kërkuar më pas babin e tij, i cili sipas tij është diku në një burg në Serbi.

Djaloshi i vogël Arti Lokaj, talent i pashoq në moshatarët e tij, e ka shkrirë edhe kësaj radhe rolin e tij, duke mos qenë kjo hera e parë që Arti bashkëpunon me regjisoren Lendita Zeqiraj.

Aktorja Shengyl Ismaili sot tregoi se sa të lidhura janë personazhet me njëra tjetrën edhe pse në thelb tregimet e tyre dallojnë shumë.

“Mesazhi është i qartë, nuk ka rëndësi se sa vuan njeriu, kur prapë se prapë ngushëllimim e gjejmë diku, një dozë lumturie diku gjendet” Bujar Kabashi, producenti i filmit, tregoi se filmi do të jetë i pranishëm në 35 festivale ndërkombëtare, duke filluar me Maqedoninë tash në shtator, më pas në Kazakistan, Kanadë, Slloveni, Spanjë e Gjermani.

Filmi do të shfaqet për dy javë rresht në Cineplexx, duke filluar që sot nga ora 20:00.

Në rolet kryesore në këtë film janë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj. Filmi është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme