5 Shtator, 2023 - 12:59 pm
Bernard Çobaj
Filmi “Pesha e padurueshme e talentit masiv” (The Unbearable Weight of Massive Talent) përmban në titull jehonën e kryeveprës së Millan Kunderës “Lehtësia e papërballueshme e qenies” (The Unbearable Lightness of Existence).
Ngjashmëria në titull sugjeron se mund të ketë diçka të njëjtë, jo në përmbajtje por në mënyrën e rrëfimit. Derisa kryevepra e Millan Kunderës është një koncept filozofik i kthimit apo thënë më mirë rikthimit të përhershëm, ku çdo gjë e përsërit veten në kohë dhe hapësirë, filmi “The Unberable Weight of Massive Talent” është një rikthim i veçantë i Nicolas Cage, në rolin kryesor por edhe atë dytësor.
Cage interpreton një version fiktiv të vetes, po njëkohësisht e luan edhe rolin e Nicky-t, aktorit të ri që po ia merr rolet.
Nicolas Cage (mbiemri do thotë kafaz) luan versionin fiktiv të vetes të quajtur Nick Cage, i cili sikur edhe Nicolas në jetën reale është në rënie të lirë me karrierën e tij – aty janë edhe problemet familjare, raporti i thyer me vajzën dhe borxhet e grumbulluara financiare. Në këtë film Cage lufton ta mbajë gjallë karrierën e përhumbur nga vetja e tij më e re dhe më e suksesshme. Pasi humb një rol kyç në film, ai planifikon të tërhiqet nga aktrimi, por agjenti i ofron një mundësi, fillimisht të paqartë për të takuar miliarderin Javi Gutierrez në Majorka, të luajtur nga Pedro Pascal (i njohur si agjenti Penja në serialin Narcos), të dyshuar nga agjencitë e sigurisë si trafikues i armëve. Javi ka dëshirë që Cage të luaj në filmin e tij dhe ia tregon skenarin që e kishte shkruar vite më parë. . Mes tyre lind kimi e jashtëzakonshme.
Së bashku ata interpretojnë duke ofruar skena fantastike përplot me fjali satirike për absurditetin e famës, trashëgiminë kinematografike dhe vetminë ekzistenciale të të qenurit Nicholas Cage.
Siç thotë alter-egoja (zëri i brendshëm i Nick Cage), i sajuar si roli i tij në “Wild at Heart”, ti nuk je aktor, ti je Nicolas fuckin’ Cage.
Cage ka aktruar në mbi 100 filma dhe rolet e interpretuara nga ai kanë qenë të larmishme por zakonisht të koncentruar në dramë dhe aksion të kryqëzuar me komedi të zezë, kësaj here risia ishte në faktin se ai interpreton një version të trilluar të vetes.
Filmi në aluzionet metapoetike përkujton skena legjendare të filmave të Cage sikur “Leaving Las Vegas”, “Face Off”, “Gone in 60 seconds”, “The Rock” sikur edhe “Adaptation” meta-filmin e parë të Cage, të cilit i referohet në disa skena “The Unbearable Weight of Massive Talent”. Kurse skenat parodike përkujtojnë në disa raste filmin “Hot Shots” me Charlie Sheen.
Filmi qëndron në raport ndërtekstual me “Being John Malkovich”, “Birdman” si dhe me filmin e parë të këtij zhanri “The Last Action Hero”, të John McTiernan me Arnold Shvarceneger.
Cage në film shprehet se puna e tij është për të bërë filma, si përgjigje ndaj kritikave se prodhon shumë filma të produksioneve B – Cage thotë se i duhet vetëm një film që të kthehet në lojë.
Duket që ky është ai filmi – mozaik i ndërlikuar i filmit në film, ku Nicolas Cage mund të ketë qëlluar me filmin për të dalë nga kafazi i produksioneve B dhe për Nick Cage filmi në film i sjellë shpërblim në fund.
Në film shkrirja e elementeve parodike që i referohen zhanreve të ndryshme të roleve të Cage krijon skena të jashtëzakonshme komike dhe pastaj shndërrohet në triler, ku Cage merr rolin e agjentit të fshehtë, të angazhuar nga CIA, që e çon kah finalja e filmit – transformimi në modelin e roleve nga filmat më shembullorë aksion të tij për të shpëtuar familjen si dhe karrierën e vet në rrafshin real.
Skena e Cage i maskuar (ala Mission impossible- Tom Kruz) me tuta sportive të klubit të futbollit Napoli, në rolin e mafiozit italian, është mbresëlënëse dhe “mu qesh me plas”.
Filmi është shembull ilustrativ i postmodernizmit dhe në këtë çelës interpretues shikohet./ KultPlus.com