4 Dhjetor, 2017 - 12:10 pm
Aktori i njohur kosovar Enver Petrovci, në intervistën javore për gazetën nacionaliste serb “Kurir”, flet me nostalgji për ish-Jugosllavinë dhe kohën e kaluar si aktor teatri dhe filmi në Beograd. Në të njëjtën kohë shpreh pakënaqësi të madhe për jetën në Kosovë, për të cilën thotë se është “jetë në diktaturë”.
“Kushtet atje (në teatrin Atelie 212 në Beograd) ishin të mrekullueshme. Të jesh në bufe në një shoqëri të tillë. I njoftova njerëzit më të mençur të Beogradit dhe shkoja t’u blej cigare që të më pranojnë në shoqërinë e tyre. Natyrisht që më pranuan”, thotë Petrovci në intervistën për “Kurir”, shkas për të cilën është angazhimi i tij në serialin serb “Hijet mbi Ballkan”.
Për angazhimet e tij si aktor në Kosovë, Petrovci thotë se tek tani po e mëson shqipen. “Nuk e kam atë siguri si kur flas serbisht në skenë. S’do të kisha guxuar të improvizoj në shqip”.
I pyetur “si mund të ndërtohen urat e rrënuara” ndërmjet popujve të këtyre anëve, ai përgjigjet: “Mund të urrehemi me shekuj, por herëdo-kurdo duhet të kuptojmë se njëri pranë tjetrit duhet të kalojmë. Shembull duhet t’i kemi sportistët dhe artistët tanë. S’duhet t’i presim politikanët”.
Për jetën në Kosovë aktori thotë: “Jetojmë në diktaturë. S’ke siguri nëse flet diçka kundër pushtetit. Menjëherë gjendesh në listën e zezë, s’ke punë. Thjesht, nuk ekziston”.
Petrovci, siç transmeton Expressi, gjithashtu tregon se në Kosovë shpesh e quajnë “spiun të Serbisë”.
“Kur është nevoja, unë jam patriot, e kur s’është, spiun serb. Nëse i kritikoj, thonë se loboj për Serbinë. Këtë s’e bën populli. Ata më duan, më çmojnë. Dinë të thonë edhe se jam aktor dhe shqiptar i madh, kurse unë e di se çka jam. Kurrë askush s’më ka blerë. E kam folur gjithmonë atë që e kam menduar. Më ka kushtuar shumë herë dhe s’jam penduar. Kam folur se e kam pasur bukur në Beograd. Te ne ka politikanë të cilët kanë qenë të martuar me serbe, kurse këtë e fshehin. Dikur kemi qenë më të lirë, më të sigurt, punonim dhe fitonim më tepër”, thotë Petrovci për gazetën serbe.
Personaliteti më i çmuar publik në Kosovë për Petrovcin është kryetari i Federatës Futbollistike të Kosovës, ish-futbollisti i Partizanit të Beogradit Fadil Vokrri, për të cilin thotë se “gjithmonë është mbajtur si njeri”.
“Kurrë s’e kam dëgjuar që për dikë të flasë keq. Është politikan më i mirë se unë”, thotë aktori, duke shfaqur shpresë se skuadrat beogradase Partizan dhe Zvezda do të mund t’i shohë në Prishtinë. Këtu, sipas Petrovcit, këto ekipe ende i kanë tifozët e tyre./KultPlus.com