31 Janar, 2025 - 9:00 pm
Filmi i metrazhit të gjatë “Pikë uji” ka qenë në nominim për garën e Oscar, garë në të cilën ka marr pjesë Shqipëria, shkruan KultPlus.
Filmi me skenar dhe regji të Robert Budinës e me prouducente Sabina Kodra sjell një histori të Aidës (Gresa Pallaska), e cila është një grua në karrierë, por që jeta e përplasë me një problem familjar, problem pastaj që shpërfaqë fuqinë e politikës, drejtësisë.
Së fundi, në një podkast filmi që zhvillohet nga dy kritikë anglezë të njohur, Theo Neumann dhe Woodiwiss, është përmendur në veçanti roli i aktores Gresa Pallaska.
Zakonisht, dy kritikët flasin rreth filmave të huaj që kanë marr pjesë në Oscars. Njëri prej tyre e shpall filmin “Pikë uji” filmin e muajit dhe Gresa Pallaskën e konsideron si një Monica Bellucci shqiptare.
“Arsyeja pse unë e dua këtë film kaq shumë është prezenca e aktores Gresa Pallaska, aktorja kryesore që luan rolin e Aidës. Ajo është pikërisht se çfarë kërkoj unë në një film. Mund të them se është një Monica Bellucci shqiptare. Ajo është e mrekullueshme dhe gjatë tërë kohës është vazhdimisht duke pirë cigare, duke gënjyer, duke kërcënuar njerëz, duke mësuar se çfarë fëmije të keq ka krijuar. Isha gjithmonë në emocione duke e shikuar. Duhet të thellohesh shumë për të kuptuar filmin. Është një pjesë ku ajo shkon për të parë një hapësirë dhe është duke ecur, shikon diçka jashtë e i bën fotografi. Pra, ka shumë detaje dhe duhet të jesh i vëmendshëm duke parë këtë film. E dua stilin në këtë film. Duke e shikuar këtë film kupton jetën e një gruaje të tmerrshme që ka një jetë të tmerrshme por mundohet të bëjë më mirë. Ka shumë skena të tjera të mira, sidomos takimi mes një gruaje që nuk ka aspak shpirt dhe gruas tjetër që është e gjallëruar komplet. Dua të falënderoj Shqipërinë për këtë film dhe sidomos për skenën ku Gresa është duke e pirë një cigare shumë të hollë dhe silueta e saj vihet në pah derisa ajo mbështetet tek dikush duke i treguar për një sekret të sajin. U dashurova pas çdo sekonde të këtij filmi. Ky film ka nëntëdhjetë minuta dhe unë isha aty për të gjitha”, ka thënë ai.
Në këtë film, përpos Gresa Pallaskës me role të tyre janë përfshirë edhe aktorët: Arben Bajraktaraj, Adem Karaga, Gerhard Koloneci, Kodjana Keco, Paolo Iancu, Henri Topi./ KultPlus.com