“Pikë uji” u prezantua me premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Varshavës, i nominuar në tri kategori

14 Tetor, 2024 - 12:14 pm

I nominuar në tri kategori: për regjisorin më të mirë, filmi më i mirë dhe çmimi special i jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, filmi “Pikë uji” është prezantuar mbrëmë premierë në këtë festival prestigjioz, shkruan KultPlus.

Me skenar të Robert Budina, Doruntina Basha, Ajola Daja e me regji të Robert Budinës, filmi është një bashkëproduksion i Shqipërisë, Kosovës, Italisë, Maqedonisë së Veriut, dhe Rumanisë, ku luajnë aktorët kryesorë nga Kosova dhe Shqipëria, përfshirë Gresa Pallaska, Arben Bajraktaraj, Adem Karaga dhe Astrit Kabashi.

Po ky film tashmë është propozuar nga shteti shqiptar për çmimin Oscar, ndërkohë, pas premierës në Shqipëri, kjo është paraqitja e parë në nivel ndërkombëtar.

Për premierën e këtij filmi ka shkruar në rrjete sociale edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Poloni, Drilon Gashi, i cili poashtu ka ndarë edhe fotografi nga ceremonia./ KultPlus.com

Të ngjajshme