12 Dhjetor, 2018 - 9:30 am
Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria është nën pushtimin nazist. Gjermanët arrijnë të kapin dy vajza të reja dhe i torturojnë ato për të zbuluar lidhjet me lëvizjen komuniste. Në fund ata i ekzekutojnë duke i varur në litar në mes të qytetit për të trembur dhe terrorizuar popullin. Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima. Kjo është historia e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”, ku Pirro Milkani do të debutonte për herë të parë si regjisor. Ishte viti 1967, ku artisti i ri do të spikaste për mënyrën e realizimit të një ngjarje të rëndësishme nga historia.
Dy vjet më vonë ai do të ekranizonte romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë, nën titullin “Përse bie kjo daulle”. Historia e Katrinës dhe Xhavitit dy të rinjve vullnetarë që bien në dashuri gjatë ndërtimit të një hekurudhe dhe vendosin të martohen do të ngjallte emocione në Shqipërinë e asaj periudhe. Me një përzgjedhje të kujdesshme të historive që ekranizonte Pirro Milkani do të krijonte individualitetin e tij artistik.
“Shtigje lufte” më 1974-trën një ngjarje që e rikthen sërish regjisorin në Luftën e Dytë Botërore, do ta bënte atë një emër të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare. Ndërsa në fillim të viteve 80-të, filmi bazuar në skenarin e Ruzhdi Pulahës, “Shoqja nga fshati” e më pas “Zonja nga qyteti” do ta bënte kinemanë e Milkanit më të dashurën e më të komunikueshme me shikuesin.
”Pranvera nuk erdhi vetë” është një tjetër film që ka mbetur në memorien e shikuesit. Historia e Irenës një fizikante e re e cila bashkë me dy koleg të saj ndërmerr një studim të rëndësishëm larg nga shtëpia. Ajo shkon për një kontroll shëndetësor në spitalin e qytetit dhe mëson se vuan nga leuçemia. Pasi e merr veten nga depresioni shpirtëror ajo fillon të pajtohet me realitetin duke çmuar çdo sekondë të jetës së saj dhe dashurisë së saj të cilën përpiqet ta shmangë.
Nën interpretimin e Anisa Markajan, ky është një ndër rolet e dashura të kinemasë shqiptare. Me një karrierë të gjatë në kinemanë shqiptare, historia e këtij rrugëtimi artistik është në një farë mënyre dhe historia e kinemasë shqiptare. Pas viteve 90-të Milkani do të realizonte një nga filmat më të bukur të kinemasë sonë të dekadave të fundit “Trishtimi i zonjës Shnajder”, një film gati autobiografik i jetës së tij studentore një Çeki.
Më 5 janar të vitit që po hyn Milkani mbush 80-të vjeç. Në prag të këtij përvjetori të rëndësishëm ai ka botuar libri me kujtime “E pabesueshme por e vërtetë”, botimet Toena, të cilin e ka promovuar mes miqsh.
”Milkani është një nga sqimataret e paktë të mendimit e komunikimit, i thjeshtë dhe i mençur, me një elokuence dhe ligjërim të ëmbël dhe elegant.
Vegimi i tij regjisorial si kineast është i kahjes sa lirike psikologjike, madje dhe heroike, aq dhe e humorit, mprehtësive dhe e rrafsheve humane. Njeriu nuk bërtet aty, por dhe në çastet sublime të therorisë e flijimit është i mëvetësishëm, gjer dhe i bukur, poetik. Nga një herë të duket sikur heronjtë e tij janë shëmbëlltyra e vetë Milkanit, siç ai është, me një mirësi brenda vetes, të pa bëzajte”, shkruan kritiku i kinemasë Josif Papagjoni./KultPlus.com