20 Shtator, 2019 - 11:30 pm
Zack Morris si guvernator i Kalifornisë? Fakti që NBCUniversal është duke e përgatitur shërbimin e vet për streaming të emërtuar “Peacock” nuk është ndonjë lajm i ri, por lajm është se cilin serial dëshiron ta ringjallë. Bëhet fjalë për serialin dikur të popullarizuar humoristik për adoleshentë, “Saved by the Bell”, ndërsa në vazhdim do të kthehen Mario Lopez dhe Elizabeth Berkley nga seria origjinale.
Skenaristja dhe producentja ekzekutive tashmë është angazhuar dhe ajo është Tracey Wigfield, ndërsa në mesin e producentëve ekzekutivë janë Peter Engel dhe Franco Bario, të cilët kanë punuar në origjinalin dhe në seritë e tyre spin off, “The College Years” dhe “The New Class”.
Përshkrimi i shkurtër i ngjarjes thotë: Disa nxënës kanë mbetur pa shkollë të mesme, sepse guvernatori i ri i Kalifornisë, Zack Morris ka vendosur t’i mbyllë disa për shkak se nuk po shpaguheshin dot, shkruan KOHA Ditore. Nxënësit janë transferuar në disa nga shkollat më të mira në vend, ndërsa në mesin e tyre janë edhe fëmijët nga ish-shkolla e tij e mesme Bayside High.
Morrisin në serialin origjinal e luan Mark-Paul Gosselaar, kështu që fansat presin ta shohin atë edhe në vazhdim, por kjo ende nuk është njëqind për qind e sigurt. Tani për tani dihet vetëm se Lopez dhe Berkley po kthehen, ndërsa me pjesën tjetër të ekipit origjinal është ende duke u negociuar.
Lopezin e kemi parë si sportistin simpatik A.C. Slater përderisa Berkley e luante nxënësen e zgjuar Jessie Spano, ndërsa ata të dy ishin një çift i dashur. Përveç tyre, kemi parë edhe miqtë e tyre: Zack Morris, Samuel “Screech” Powers (Dustin Diamond), Lisa Turtle (Lark Voorhies) dhe Kelly Kapowski (Tiffani-Amber Thiessen).
Universal dhe Peacock po e mbajnë të fshehtë pjesën tjetër të detajeve. Shërbimi për streaming do të jetë në dispozicion në prill të vitit 2020 me 15.000 orë përmbajtje, ndërsa çmimi nuk dihet ende. /KultPlus.com