26 Mars, 2019 - 3:52 pm
Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” është pranuar në selektimin zyrtar të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Moskë (MIFF), pa qenë në garë. Ky është një sukses i madh i regjisorit Kushtrim Bekteshi, i cili me film debutant hyri në selektimin zyrtar në një festival të kategorisë A. Kjo gjë paraqet një vazhdimësi të karrierës së suksesshme të regjisorit Kushtrim Bekteshi, i cili është i njohur për sukseset vendore dhe ndërkombëtare si regjisor teatri, ku disa herë ka qenë edhe i shpërblyer me çmime.
Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” është bashkëprodhim në mes Manufaktura Production (Maqedoni) me producent Sasho Pavslovski, Media&Film Production (Kosovë) me producent Mumin Jashari, Ska-Ndal Production (Shqipëri) me producent Genc Permeti dhe Skupifestival (Maqedoni) me producent Muzbajdin Qamili dhe Osman Ahmeti. Filmi është i mbështetur financiarisht nga Agjencioni për Film i Maqedonisë, Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, Radiotelevizioni i Kosovës, Radiotelevizioni i Maqedonisë 2 dhe Radiotelevizioni i Shqipërisë.
Në film është përfshirë një kastë e madhe aktorësh nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, ndër të cilët: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço, etj…
Filmi është xhiruar në fshatin Gjonomadh të rrethit të Korçës. Drejtori i fotografisë në këtë film është Almir Gjikolli, muzikën origjinale e ka kompozuar Trimor Dhomi, montazhin e ka bërë Radovan Petroviç, skenograf është Durim Neziri, kostumografe Zhaklina Krstevska dhe dizajner i zërit Darko Spasovski.
Nder i madh është edhe për Produksionin Manufaktura që me këtë film po e mbyll me sukses edhe produksionin e filmit të katërt me metrazh të gjatë. Në katër vitet e fundit Produksioni Manufaktura është pjesë vitale e tre filmave të metrazhit të gjatë, me të cilët ka arritur suksese të rëndësishme edhe atë: si producent ekzekutiv për filmin francez të metrazhit të gjatë A Fond, i cili ka arritur fitim mbi 15 milion euro; si bashkëproducent në produksionin ruso-lituano-maqedonas të filmit “Harms” – i cili ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Shangaj (festival i kategorisë A) ku ka fituar dy çmime: kamera më e mirë dhe skenari më i mirë dhe producent i filmit të tretë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” që po përjeton një fillim të shkëlqyer në rrugëtimin nëpër festivale.
Premiera e filmit “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” do të jetë më datën 29.03.2019 (e premte), në kinemanë Cineplexx-Shkup, me fillim në ora 19:30. Filmi se shpejti do të shfaqet edhe nëpër kinematë në Shkup dhe në qytetet e tjera të Maqedonisë./ KultPlus.com