11 Tetor, 2024 - 2:32 pm
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë u zhvillua dje në mbrëmje premiera e episodit të parë të seralit të shumëpritur shqiptar “Prokurori”, një nga prodhimet më të rëndësishme të kinemasë shqiptare në vitet e fundit. Me regji dhe skenar të Fatmir Dogës dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, seriali trajton luftën e një prokurori të ndershëm me krimin e organizuar dhe korrupsionin politik.
Ky serial shquhet për pjesëmarrjen e aktorit të famshëm hollivudian, Danny Glover, në rolin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë. Danny Glover ka luajtur në disa filma shumë të njohur përkrah Mel Gibson në “Lethal Weapon” apo në filmin kult horror “Saw”.
Regjisori Fatmir Doga shprehu falënderimet e tij për interesin e madh të publikut shqiptar si dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në premierë.
“Nuk besoj se ka Oscar më të bukur në botë sesa të shohësh popullin tënd, njerëzit e tu, gjithë këtë interesim sot”, tha Doga. Ai falenderoi veçanërisht producentin Ylli Ujka, për realizimin e kësaj ëndrre.
Sipas producentit, e veçanta e filmit qëndron në faktin se në çdo seri do të ketë yje të Hollivudit.
Pas Tiranës, premiera e serialit “Prokurori” do të vazhdojë në Prishtinë nga 12 tetori dhe do të shfaqet në të gjitha kinematë kryesore, duke sjellë një projekt unik që bashkon talentet shqiptare dhe ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com