1 Shkurt, 2025 - 6:35 pm
Era Berisha
Një histori e veçantë, rrallëherë e trajtuar dhe krejtësisht mbresëlënëse, ka zënë vend brenda filmit “Krejt e thërrasin Rexhon”, me regji të Ibër Dearit që u dha premierë në Cineplexx të enjten mbrëma. Gjithçka zë vend në fshatin fiktiv të titulluar “Sllupkovë”, ku së fundmi ka ndodhur një ikje masive e të rinjve dhe punëtorëve nga ky vend. Në këtë hapësirë ka mbetur tash veç një person, një punëtor që mban emrin Rexhep Nushi e mbi krahët e të cilit peshojnë shumë njerëz. Nën mungesën e madhe e tejet të shprehur të punëtorëve të tjerë, të gjithë banorët e fshatit nisin dhe e kërkojnë tashmë veç Rexhon, burri që kryen nevojat dhe punët e ndryshme dhe llojllojshme që secili banor ka nëpër shtëpitë e tyre, ngaqë askush tjetër nuk është në dispozicion, shkruan KultPlus.
Edhe pse filmi ka pasur një rrugëtim të gjatë e të mundimshëm, ka arritur të jetësohet. Salla brenda hapësirës së Cineplexx qe mbushur plot dhe të pranishmit pritën njëzet minuta më shumë pasi që nuk kishte vende të mjaftueshme. Megjithatë, dritat u fikën në orën 19:52 dhe filmi gjeti dritën e vetë. Protagonistët kryesorë të këtij filmi janë: Afrim Muçaj në rolin e Rexhos, Adriana Matoshi në rolin e Hirës dhe Ledion Mulaku në rolin e Nikut.
“Everybody Calls Redjo” është film debutues për regjisorin Ibër Deari si skenarist në filmat e metrazhit të gjatë, derisa edhe Artin Selmani është pjesë e këtij filmi sa i përket pjesës së skenarit.
Realiteti që na rrethon, në të cilin jetojmë dhe të cilin e shohim çdo ditë, qoftë në rrugë, në lajme apo edhe nga bisedat në kafene me miq, është pika kryesore nga ku edhe ka ardhur ideja e regjisorit Deari për të krijuar filmin.
Personazhi kryesor, Rexho cilësohet si personi që të gjithë kanë pasur më së shumti nevojë, dhe të cilin e kërkojnë çdo herë, duke përfshirë edhe ardhjen e anëtarëve të fshatit deri tek dritarja e shtëpisë së Rexhos. Të gjithë burrat e aftë për punë kanë emigruar, duke lënë pas vetëm Rexhon, andaj dhe ai tashmë bëhet pika kyçe që mban “gjallë” vendin.
“Everybody Calls Redjo” ka realizuar xhirimet në gjithsej 20 ditë, mirëpo rezultati dukej se i përkiste diçkaje krejt tjetër. Janë pikërisht ato kuadrot e shumta që të lënë me gojëhapur. Të shpeshta janë edhe ato të makinës së Rexhos, një makinë që rrëshqet natë e ditë drejt kthesave të buta të rrugëve të fshatit. Fenerët e makinës shpesh portretizojnë ngadalësimin e rrjedhës së filmit për të vënë në pah dallimin mes dinamikës e qetësisë.
Në ndërkohë, ishin pikërisht fontet e bukura të fjalëve brenda filmit që më ngjasonin me madhështinë e fonteve të regjisorit Wes Anderson, duke plotësuar kështu një pikë kyçe të estetikës artistike të filmit. Përplot dy orë, të mbështjella mund të gjendet komedia, drama e romanca. Nuk është thjeshtë një rutinë e personazhit Rexho që shpaloset para ekranit, por ka shumë sekrete, intriga e histori që përkojnë me realitetin e shpesh edhe kanë një përfundim jo të mirë. Parimet e Rexhos janë të thjeshta: Me buzëqesh duke kryer punën, me mbyllë gojën, mos me u lodhë por me pas energji të mirë, asnjëherë mos me qenë të uritur në punë. Këto mundohet t’i zbatojë edhe djali i tij që dëshiron/imponohet ta mësojë zanatin e babait.
Sikurse në filmat e Tarantions, edhe në filmin e regjisorit Deari i cili me këtë film debuton në metrazh të gjatë pas filmave të shkurtër “My City Screams” (2015), “Toka” (2016), “A long way Home” (2017), mund të shohim përdorimin e teknikës së intertitujve që i japin filmit një strukturë të mirë. Pra, shtohet një ritëm që tregon narrativen e filmit këndshëm, seksion pas seksion, dhe krejt kjo është e qëllimshme. Që nga thirrja e parë, filmi vazhdon pastaj tek thirrja e panjohur dhe thirrja e gabuar dhe përfundon me thirrjen e fundit. Ajo që nuk humb në të gjitha këto segmente është shprehja “I kam njëqind punë”, shprehje kjo e personazhit Rexho që shpërfaq pakënaqësinë me punët e shumta të cilat duket se i bëhen barrë me kalimin e kohës. Por, ai këto të gjitha i bën enkas për të mirëmbajtur familjen dhe dashurinë e gruas dhe djalit të tij.
Në anën tjetër, kemi dialekte të ndryshme që fliten nga aktorët në film. Ka aktorë nga treva të ndryshme shqiptare dhe kjo e bën akoma më unike këtë film. Regjisori Ibër Deari ka arritur të krijojë një urëlidhëse mes një skenari plot humor, portretizimeve të karaktereve diversive dhe kapjes së emocioneve të duhura qoftë në “slow-motion” apo “fast-motion/tempo”.
Regjisori dhe skenaristi i “Everybody calls Redjo”, Ibër Deari, pas shfaqjes së filmit premierë në Prishtinë, ka falënderuar audiencës e Kosovës për përkrahjen e madhe që i është bërë.
“Faleminderit që jeni prezent këtu. Unë çdo herë në Prishtinë jam ndje shumë mirë kur i kam shfaq filmat, pasi që me shumicën e artistëve veçse kam punuar dhe më kanë përkrahur shumë. Dua t’i them faleminderit të gjithë ekipit dhe audiencës këtu për përkrahjen dhe mbështetjen”, ka thënë ai.
Ndërsa, për KultPlus, ka potencuar se roli i personazhit kryesor Rexho, përkon me realitetin e tanishëm të shoqërisë tonë.
“Nëse flasim për eksperiencën si regjisor atëherë mund të them se kam mësuar shumë. Kam mësuar akoma më shumë sesa në Akademinë e Filmit. Në këtë film e kam mësuar se çka është realiteti i të bërit film. Nuk është aspak se si e mëson në libra apo në video të ndryshme. Regjisor bëhesh vetëm atëherë kur del në sheshxhirim. Filmi i metrazhit të gjatë është një maratonë e madhe dhe jam përballuar me shumë vështirësi, qysh nga buxheti e deri tek kushtet klimatike. Këndvështrimin e Rexhos e kam sjellë sepse unë vetë shpesh kam njohur njerëz të atillë të cilët dinë histori duke punuar në shtëpi të ndryshme, akoma më shumë sesa familjarët që jetojnë apo i njohin ata njerëz. Kjo pikë më ka interesu shumë, pra se çfarë tregime kanë ata për të thënë e shpalosur. Në anën tjetër, Rexho është i vetmi personazh që nuk ka dashur të ikë nga vendi dhe e ka dashur punën e tij, ndërsa sot në shoqërinë tonë njohim shumë njerëz që duan ta lënë vendin, punën dhe zanatin”, ka thënë regjisori Deari.
Aktori Afrim Muçaj pas shfaqjes së filmit premierë në Prishtinë, ka falënderuar të pranishmit duke shpresuar që nuk i ka zhgënjyer.
“Faleminderit shumë për prezencën. Ndihemi shumë të lumtur që kemi arrit ta kryejmë një punë shumë të mundimshme që ka marr shumë kohë. Për mua personalisht, si djalë i Prishtinës, është njëfarë lloj testi me ju pa të gjithëve këtu. Uroj të mos ju kem zhgënjyer”, ka thënë ai.
Ndërsa, në konferencën për media që është mbajtur ditën e së enjtes, ai pati potencuar se roli i Rexhos ka qenë për të, një nga sfidat më të mëdha të karrierës.
“Kam pasur disa punë shumë të mira në karrierën time, por mendoj që është një prej sfidave më të mëdha që kam pasur deri më sot. Por me ndihmën e skriptit si fillim e mandej trajtimit të regjisorit dhe gjithë kolegëve që kam pasur, e kanë bërë shumë më të lehtë realizimin e këtij roli sesa që do ta kisha. Është rol i ndritshëm por për ta realizuar siç duhet, na ka marrë kohë ndoshta dy vjet për muhabete, shpjegime, trajtim të skriptit. Edhe pasi e kemi xhiruar pastaj ka pasur shumë punë, në postproduksion. Ka qenë sfidë e madhe dhe sot jemi të liruar emocionalisht që kemi arritur ta sjellim para publikut një punë që vërtetë ka pasur sakrificë të jashtëzakonshme. Besoj se ia kemi arritur ta sjellim në kualitet të lartë që njerëzit të kënaqen kur ta shohin”, ka thënë Muçaj.
Pas shfaqjes së filmit premierë në Prishtinë, edhe aktorja Adriana Matoshi ka thënë se kujtimet më të mira i përkasin sheshxirimit të këtij projekti.
“Faleminderit shumë që keni ardhur në një numër kaq të madh. E kemi pas tepër të lehtë punën, pavarësisht vështirësive që i ka pasur Ibri për ta realizuar këtë film. Unë jam shumë e lumtur dhe e nderuar që kam qenë pjesë e këtij filmi të mrekullueshëm. Kur kam shkuar në xhirime, kam marr energji shumë të mirë dhe i kam kujtimet më të mira tek ky projekt. Shpresoj që Ibri të mos ndalet dhe shpresoj që të kem edhe të tjera bashkëpunime me të”, ka thënë ajo.
Për KultPlus, aktorja Matoshi ka treguar se është kënaq shumë duke xhiruar, dhe ajo beson se kjo ka reflektuar shumë në film.
“Unë fillimisht e kam pasur shumë të vështirë me pranu këtë rol pasi që ky rol mu është ofruar në qershor dhe unë kam pasur një operim në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe kam pasur nevojë për një pushim më të gjatë, mirëpo pas insistimeve të Ibrit dhe Afrimit, e pranova rolin dhe vendosa që dua të përkrah Ibrin në Maqedoni sepse ka pasur shumë vështirësi në secilin aspekt të mundshëm. Ibri është një djalë i jashtëzakonshëm, megjithëse është hera e parë që luaj në një film të tijin. Shpresoj që të mos jetë hera e fundit. Kam pasur afro gjashtë ditë xhirime, por me dëshirën time i kam zgjatë ato më shumë. Jam kënaq shumë dhe rezultati tani po shihet”, thotë Matoshi.
Filmi “Krejt e thërrasin Rexhon” parasheh premiera në pesë qytete të ndryshme në Kosovë, derisa premiera në Tiranë është shfaqur mbrëmë.
Në filmin “Everybody Calls Redjo” luajnë: Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Daniela Markaj, Bujar Ahmeti, Labinot Raçi, Bereda Reshit, Ledion Mulaki, Blerim Ismani, Muzafer Etemi, Valdeta Ismajli, Blerim Dardhishta, Sara Bajrami etj./ KultPlus.com