31 Gusht, 2024 - 9:01 pm
Në edicionin e 16-të të Prishtina International Film Festival- PRIFEST, programi tradicional jo-garues “Fokus” do të prezantojë industrinë e filmit të Mbretërisë së Bashkuar.
Në një njoftim për media thuhet që kjo kategori e veçantë e festivalit ka për qëllim të prezantojë kinematografinë e një shteti, në këtë rast britanike, dhe të sjellë për publikun kosovarë një përzgjedhje unike të filmave bashkëkohor nga ky shtet.
Ky program vjen me mbështetjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.
LAST SWIM nga Sasha Nathwani, Mbretëria e Bashkuar/ Premierë regjionale (100min).
Është verë në Londër. Në ditën e saj të fundit të lirisë, Ziba, një adoleshente britaniko-iraniane, udhëheq miqtë e saj në një udhëtim plot me ngjarje, ndërsa fshehurazi përballet me një vendim që do t’i ndryshojë jetën.
NO WAY HOME nga Yousaf Ali Khan, Mbretëria e Bashkuar/ Projeksion special – fitues i PriGlobal 2024 (105min).
Ryan nuk e mban mend babanë e tij, por ende ëndërron se një ditë do të kthehet. Kështu që, kur zbulon një burrë të fshehur në shkretëtirën pranë shtëpisë së tij, për të është si një ëndërr e realizuar. Apo jo?
KING BABY nga Kit Redstone & Arran Shearing, Mbretëri e Bashkuar, Francë/ Premierë regjionale (89min).
Një përrallë moderne zhvillohet në një mbretëri të rrënuar ku jetojnë vetëm një Mbret dhe një Shërbëtor. Ardhja e një Mbretëreshe manekin trondit botën e tyre të ndërtuar me kujdes, duke i zhytur në izolim, çmenduri dhe mani vrasëse.
Edicioni 16-të i PriFest mbahet prej 10-15 shtator 2024 në Kino Armata, Prishtinë./ KultPlus.com