PriFest nis sonte me filmin ‘‘Vera Andrron Detin’’

20 Shtator, 2022 - 10:02 am

Sonte nis edicionin e tij të 14-të Festivali i Filmit “PriFest”. Hapjen e festivalit do ta bëjë filmi “Vera Andrron Detin”, shkruan KultPlus.

Përveç që tashmë janë të ditur edhe filmat që do të garojnë për çmimet kryesore, gjithashtu është njoftuar se çmimi kryesor “Hyjnesha e Kuqe” do të mbajë emrin “Vjosa Berisha” dhe do të nisë të ndahet nga ky edicion.

Edicioni i 14-të i “PriFest”-it mbahet nga 20 deri më 25 shtator 2022 dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. 

“Jemi të lumtur që sikurse edhe hapja e PriFest-it, me filmin ‘‘Vera Andrron Detin’’, edhe në mbyllje do të kemi film në gjuhën shqipe, ’’Virgjëresha Shqiptare’’,  për më shumë edhe me pjesëmarrje të madhe të filmbërësve nga Kosova. E kemi thënë shumë herë, promovimi dhe përkrahja e filmave vendor dhe filmbërësve tanë është një nga objektivat kryesore të festivalit”, ka thënë Fatos Berisha, bashkëthemelues i festivalit.

PriFest shënon edicionin e 14-të këtë vit dhe për herë të parë do të mbahet pa drejtoreshën e festivalit Vjosa Berisha e cila vdiq më 23 qershor të këtij viti. Ky edicion do të jetë në kujtim dhe nderim të saj.  KultPlus.com

Të ngjajshme