Prishtina mirëpret filmin “Policë për kokë”, premiera sonte në Cineplexx

13 Janar, 2023 - 2:14 pm

Kryefjala e mbrëmjes së sotme do të jetë premiera e filmit “Policë për kokë”.

Me regji të Aldo Markut, “Police për Kokë” është një film i zhanrit aksion-komedi që sonte do ta ketë premierën në Prishtinë në kinemanë Cineplexx në Albi Mall në ora 19:00.

Pjesë e kastit janë aktorët e njohur si: Nik Xhelilaj, Olsi Bylyku, Eva Murati, Besnik Tafallari, Arben Bajraktaraj e të tjerë.

Më date 11 janar, filmi pati premierën në  kinema “Millennium” në Tiranë, me mbi 350 të ftuar nga bota e artit, kinemasë e medias në Shqiperi dhe Kosovë.   

Rreth filmit

Një valixhe me një përmbajtje shumë delikate, grabitet në mes të ditës nga një grup mafioz. Xhino dhe Maks, dy detektivë të caktuar në mënyrë rastësore të punojnë me njëri tjetrin, kanë shumë pak kohë të zbardhin të vërtetën e ngjarjes dhe të zbulojnë se kush është mafiozi që fshihet pas grabitjes, si dhe përmbajtjen sekrete të saj.

Xhino është një djalë i ri, i cili ka 2 muaj që punon në forcat policore, si oficer policie dhe sapo ka nisur karrierën e tij.

Një ngjarje kriminale në qytet trondit forcat policore të cilat vendosen në lëvizje për të gjetur autorët. Shefi i policisë do ta vendosë Xhinon si partner me Maksin, një detektiv i sertë dhe me përvojë.

Të dy do kalojnë një seri aventurash dhe zbulimesh, ku ndërthuren mafia, pushteti dhe korrupsioni.

Filmi po shfaqet në të gjitha kinematë në Shqipëri dhe Kosovë, me pas dhe në shtete si Zvicra, Anglia e të tjera. / KultPlus.com

Të ngjajshme