6 Gusht, 2018 - 4:18 pm
Alberina Haxhijaj – Prizren
Mbrëmë në kuadër të DokuFest-it erdhi dokumentari “Pro Rrymës” realizuar nga Elton Baxhaku, shkruan KultPlus.
“Pro Rrymës” është një dokumentim i përpjekjeve të komuniteteve lokale, organizatave mjedisore dhe aktivistëve të shoqërisë civile për t’u përfshirë në vendimmarrjen për fatet e lumenjve Valbonës dhe Vjosës, si dhe të zonave të mbrojtura përballë lejeve për projekte hidroenergjetike të qeverisë shqiptare.
Dokumentari sjellë sfidën e shekullit për mjedisin në Shqipëri, ku 526 hidrocentrale kanë marrë dritën e gjelbër nga autoritetet qendrore. Kjo është historia e rezistencës së banorëve dhe të aktivistëve mjedisor, kundër valës shkatërruese të HEC-eve në Shqipëri përgjatë dekadës së fundit.
“Në kohën kur po bënim xhirimet u premtua se do të hapej një mundësi e re drejt energjisë diellore, energjisë së erës dhe burimeve të tjera. Pasi që ekosistemi po dëmtohej rënd por kjo ishte një gënjeshtër e radhës. Projektet që ishin planifikuar për tu bërë pra me burime alternative të energjisë u anuluan dhe u ndryshuan. Për aq sa nuk u bë asnjë projekt përveç HEC-eve”, tregoi për publikun e pranishëm në platonë e DokuKino-së, Elton Baxhaku-regjisor.
Tutje ai tregoi se punimet e HEC-eve po vazhdonin që të realizoheshin dhe e vetmja pengesë që kishin, ishin banorët të cilët kundërshtoni. Pikërisht ky dokumentar paraqet edhe këmbënguljen e tyre për të shpëtuar natyrën në ‘luftë’ me shtetin e tyre i cili ka plane të kundërta.
Diçka tjetër që do mund të shihni në këtë dokumentar janë aktivitet e shumta kulturore dhe sportive të cilat janë mbajtur për të shpëtuar natyrën duke përfshirë koncertin e madh i cili mori shumë jehonë “Mos ma prek Valbonën”, apo marshimin me Kayak që u bë nëpër lumenjtë në gjithë Ballkanin pasi që një situatë të ngjashme po hasin shumë vende në këtë pjesë.
“Nuk është rasti i parë që hasim në Shqipëri, kur një i huaj vjen dhe bënë roli e ‘reflektuesit’ ai që na i hapë sytë duke na treguar se gjërat nuk janë mirë. Këtë e kemi parë edhe në rastin e Vjosës e sidomos në rastin e Valbonës ku shumë të rinj nga vendet e tjera kanë ardhur për të ndihmuar në mbrojtjen e ambientit. Por këta të rinj, nuk kanë dashur që të lidhen me asnjë parti, organizatë apo diçka të tillë ata thjeshtë kanë dashur që të na ndihmojnë pasi që e kanë vënë re se çfarë po humbim”, ka treguar ai.
Ajo që ky dokumentar vë në pah është edhe puna që kanë bërë pikërisht këta të ri duke përfshirë këtu edhe shkencëtarët të cilët kanë dokumentuar gjallesat të cilat ekzistojnë në këto pjesë të Shqipërisë e që më parë nuk janë ditur duke përfshirë këtu edhe “Puqemi”, një specie e re e cila është zbuluar.
Dokumentari “Pro Rrymës” dhe rezistencën për të mbrojtur ambientin do mund ta shikoni edhe sonte në Kino n’lum duke filluar nga ora 22:00, në kuadër të DokuFest-it në Prizren. /KultPlus.com