1 Gusht, 2017 - 1:41 pm
Në kryeqytet, sot u mbajt konferenca për shtyp e festivalit ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër-DokuFest, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 16 -të , të këtij festivali, i cili do të mbahet, në Prizren, nga data 4 deri më 12 gusht, shkruan KultPlus.
Ajo e cila nisi këtë konferencë për media ishte, drejtoresha e festivalit, Nita Deda, e cila shpalosi programin e festivalit, duke theksuar se DokuFest në këtë edicion do të sjellë një program shumë të pasur të filmave dhe poashtu festivali këtë vit do të sjellë edhe shumë risi.
‘Edicioni i 16-të i DokuFest-it, i cili këtë vit e ka në fokus temën e së ardhmes ‘Future’ ka një program shumë të gjerë, me mbi 230 filma të cilët janë përzgjedhur prej mijëra filmave sa kanë aplikuar për të qenë pjesë në DokuFest. Këtë vit festivali ka një program më të pasur edhe në muzikë, me koncertet që do të mbahen në parkun ‘Marash’, ku kisha veçuar koncertin e grupit ANDRRA. Festivali i përfshinë edhe fëmijët, duke shfaq filma për fëmijë dhe përmes punëtorive të ndryshme për fëmijë’, tha ajo.
Drejtoresha e festivalit, Nita Deda, theksoi si shumë të rëndësishëm programin e fotografisë, DokuPhoto, në të cilin kanë bashkëpunuar me Muzeun Kombëtar të Fotografisë ‘Marubi’ në Shkodër, arkiva e së cilës kap dhe dokumenton ngjarje nga historia e trazuar e Shqipërisë gjatë viteve 1856-1959 dhe përfshinë fotografi të ngjarjeve të ndryshme publike, ritualeve shoqërore, kryengritjeve në malësi që mbulojnë pikëpamje historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike.
‘Një ekspozitë shumë të veçantë DokuFest e sjellë në bashkëpunim me muzeun ‘Marubi’ në Shkodër, çka e veçon. Një tjetër risi është Konferenca e Teknologjisë ,e cila mbahet për herë të parë në DokuFest, tregoi Nita Deda.
Ndërsa Veton Nurkollari-drejtori artistik i DokuFest, e vazhdoi prezantimin e programit të edicionit të 16-të të DokuFest, duke theksuar se janë shumë të kënaqur me numrin dhe cilësinë e filmave që këtë vit sjellë festivali, i cili sipas tij është më i pasuri.
‘Ne jemi gati që të premten të fillojmë edicionin e 16-të të DokuFest-it, një edicion në të cilin kemi punuar hiç më pak një vit, që nga përfundimi i edicionit të vitit të kaluar. Jemi shumë të kënaqur me atë se çka artistët do të prezantojnë në këtë edicion, jemi të kënaqur me përzgjedhjen e filmave, jo vetëm me numrin por edhe me cilësinë e filmave që vijnë nga Kosova, nga rajoni por edhe nga shqiptarët të cilët jetojnë jashtë Kosovës. Si çdo vit ne do të shfaqim filma në gjashtë kategori garues, ku kemi përzgjedhë 102 filma, ku do të ketë disa premiera dhe filma që vinë nga festivalet të mëdha botërore dhe fitues të çmimeve të ndryshme në festivale. E veçantë tjetër është se në këtë edicion DokuFest paraqet një retrospektivë të punës së regjisorit britanik John Smith, duke shfaqur 21 filma të tij dhe duke ofruar një master-klasë me regjisorin’, tha Veton Nurkollari, Drejtori Artistik i DokuFest.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i DokuFest-Eroll Bilibani, përveç që foli për programin e pasur, ai poashtu theksoi mungesën e përkrahjes nga institucionet e vendit.
“Fatkeqësisht as këtë vit nuk kemi marrë përkrahje institucionale. Do të ishte mirë që institucionet tona të marrin mësim nga bizneset dhe nga fondacionet e ndryshme, të cilët në vazhdimësi kanë përkrahur festivalin dhe po vazhdojnë të përkrahin. Ju mund të vëreni edhe që numri i bashkëpunëtorëve nga komuniteti i biznesit është rritur shumë”, pohoi Bilibani.
Tema e së ardhmes do të theksohet në edicionin e sivjetmë të DokuFest, i cili organizohet nga data 4 deri më 12 gusht në Prizren. Gentianë Morina/ KultPlus.com