Pse në sheshxhirimet e filmave përdoren armë të vërteta

1 Nëntor, 2021 - 9:00 pm

Më 21 tetor, drejtorja e fotografisë Halina Hatçins mbeti e vrarë gjatë xhirimeve të filmit“Rust” në Nju Meksiko, nga një e shtënë aksidentale me armë zjarri nga aktori Aleks Balduin.

Sipas rindërtimit të fakteve, para se të qëllohej, një ndihmës i regjisorit të filmit Dejvid Holls kishte marrë 1 nga 3 pistoletat mbështetëse të përgatitura nga ekspertja e armëve  Hana Gutierrez, e cila tha se ishin pa municione,dhe më pas ia kishte dhënë Balduin.

Në atë moment ai drejtoi revolverin drejt objektivit, siç parashikohej në skenar, dhe qëlloi duke goditur me një plumb në fillim Hatçins, që ndodhej përballë tij, dhe më pas regjisorin Xhoel Souza, që ndodhej pas drejtores së fotografisë.

Producentët e filmit kanë njoftuar pezullimin e xhirimeve të tij. Por ky incidenti rëndë, ka nxjerrë në pah disa shqetësime mbi sigurinë në stafin e këtij filmi. Sipas mediave, disa anëtarë të stafit kishin marrë më parë armë mbështetëse duke përfshirë atë që më vonë vrau Hatçins për t’u praktikuar me municion të vërtetë duke goditur disa kanoçe për të kaluar kohën.

Situata e sigurisë ishte aq e papërshtatshme, sa një menaxher skene me një përvojë 30-vjeçare i tha “Los Angeles Times” se e kishte refuzuar ofertën për të punuar në xhirimet e filmit “Rust”, pasi iu refuzua kërkesa e tij për 5 ndihmës, si dhe për buxhetin e vogël që do të duhej vetëm për rolin e ekspertit të armëve.

Ndërkohë po sipas “Los Angeles Times”, disa orë para incidentit, disa nga pjesëtarë të stafit ishin larguar nga grupi, duke denoncuar keqtrajtimin dhe kushtet e këqija të punës.

“Slate” intervistoi menaxherin e njohur të skenës Miç Tompson, për të kuptuar se cilat probleme çuan në një situatë kaq të rrezikshme.

“Në një skenë ku dikush qëllon, nuk duhen vetëm të shtënat e armës që qëllon, të cilat mund të shtohet më vonë gjatë fazës së post-produksionit përmes efekteve speciale. Por nëpër filma njerëzit duan të shohin edhe lëvizjen me rrëshqitje, sa herë që tërhiqet këmbëza e armës.

Dhe shumë armë me ajër të kompresuar e bëjnë këtë, dhe ato duken si të vërteta. Prandaj ato do të ishin një alternativë më e sigurt. Por sot ka edhe kompani që furnizojnë kompanitë kinematografike me ato që ne i quajmë jo-armë, pra një version elektronik i armëve. Ato janë bërë të duken si armë të vërteta, me shumë zmbrapsje, por pa zjarr. Dhe kur ka skena ku dikush është duke ecur me një armë në brez, ne përdorim një pistoletë gome ose një të thjeshtë plastike”- shpjegon Tompson.

Eksperti tregon gjithashtu se si mund të lindin defektet në sistemin e sigurisë. “Nëse është një film ku është e pranishme edhe sindikata, zhvillohen paraprakisht disa kurse sigurie. Në të tjerat, mund të ndodhë gjithçka. Në teori, është producenti ai që duhet të marrë përgjegjësinë për punësimin e njerëzve të besueshëm.

Por siguria në skenë është në fakt në duart e krijuesit të mjeteve dhe ndihmësit të parë të regjisorit. Nëse unë do të përdorja armë të vërteta, atëherë duhet të kisha një armëpunues të certifikuar. Por nëse ka armë të rreme që duken si reale, atëherë pse të përdorësh një armë të vërtetë?

Një pjesë e problemit ka të bëjë me neglizhencën institucionale. Përpara se të dilnin armët me ajër të kompresuar, kishte vetëm armë të rreme. Pra mendoj se disa prej tyre përdoren për ta bërë sa më realiste skenën. Kjo është gjithmonë një ide e mirë. Por ekzistojnë mënyra të tjera për ta bërë një armë të rreme të duket si një armë e vërtetë, por kjo kërkon kohë dhe para”- shton ai.

Incidenti në të cilin vdiq djali i Brus Li, Brendon Li, është më i famshmi, por jo i vetmi në botën e spektaklit. “Gjatë xhirimeve të një serie televizive të viteve 1980 aktori Xhon-Erik Heksum po bënte shaka me një armë bosh në xhirime. Një plumb bosh është një gëzhojë e mbushur me barut.

Por kur këmbëza godet fishekun manovër, djegia është e njëjtë dhe forca po ashtu është e njëjtë. Dhe arma bën të njëjtën qitje si me një plumb normal. Në distanca të afërta, ajo forcë është e mjaftueshme për të shkaktuar dëme serioze. Heksum e drejtoi armën në kokë dhe qëlloi, edhe pse nuk kishte asnjë plumb,

Episodi që përfshin Alek Balduin, zbuloi gjithashtu delikatesën e punës së përgjegjësve të logjistikës në industrinë e filmit. “Brenda afateve dhe burimeve të ofruara nga prodhuesit, ne jemi njerëzit më të rreptë sa i përket sigurisë në sheshxhirim.

Sa herë që ka një skenë me gjuajtje armësh, ne bëjmë një njoftim zyrtar, i detyrojmë të gjithë të ndërpresin punën dhe të thonë: “Po mbajmë në duar një pistoletë mbështetëse: dhe nëse ajo është armë plastike, apo një armë më ajër të kompresuar apo çfarë do qoftë ajo. Cilido që është në sheshxhirim

dhe dëshiron mund të hyjë dhe ta kontrollojë armën. Ne kontrollojmë të gjitha armët për t’u siguruar që nuk ka asgjë brenda. Atëherë kur çdo gjë na duket në rregull, mund të vazhdojmë”- thekson Trompson.

Fatkeqësisht, koha e shkruar e prodhimit të filmit nuk ndihmon në garantimin e sigurisë së njerëzve që punojnë atje. “Njerëzit që rekrutohen me kosto të ulët, që nuk drejtohen nga sindikatat, kanë që të gjithë përvoja abuzimi apo lëndimi në sheshxhirim, ose janë vënë në kushte ku ndiheshin të pasigurt.

Pra ndërsa përparoni në karrierë, jeni gjithnjë e më pak të gatshëm të merrni rreziqe për të kursyer kohë dhe para nga prodhuesit. Pasi tek e fundit gjithçka përfundon këtu:producentët përpiqen të bëjnë diçka më të shpejtë, më të lirë ose më të lehtë. Dhe i takon ekuipazhit të vendosë. Dhe ne përgjigjemi se jo, nuk punojmë dot kështu. Nuk është e sigurt”- përfundon Tompson. / bota.al / KultPlus.com

Të ngjajshme