Publikohet programi i edicionit të 8-të të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë

24 Qershor, 2018 - 10:00 am

Nga data 2 korrik deri më 7 korrik 2018, shoqata Art-Im-Pulse organizon në kinemanë e Pogradecit edicionin e VIII të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë (B3F), i vetmi aktivitet kulturor ndërballkanik në Shqipëri.

Marrin pjesë me krijimit e tyre qindra artistë nga të gjitha vendet e Ballkanit. Gjatë këtij edicioni do të projektohen 75 filma të gjinive: metrazh i gjatë, i shkurtër, filma eksperimentalë, filma të animuar. Gati një e katërta e filmave janë krijime të rinjsh nga shkollat e filmit në Rumani, Serbi, Shqipëri, Maqedoni, etj.

Filmat e gjatë në konkurrim janë “Dita zë fill”, Genti Koçi, Shqipëri; “Martesa”, Blerta Zeqiri, Kosovë, “Sekrete nga e kaluara”, Rasit Gorgulu, Turqi; “Omnipresent” Ilian Djevelekov, Bullgari.

Në kuadrin e vitit jubilar në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti-Skënderbeut do të projektohen filmi “Skënderbeu”, versioni i restauruar, dhe “Një kafe me Skënderbeun” nga Piro dhe Eno Milkani.

Për herë të parë këtë vit do të organizohet dhe “Balkan Story”. Tetë projekteve do të prezantohen nga vetë autorët dhe Juria e festivalit do të përzgjedhë një fitues I cili do të fitojë 500 euro për zhvillim të mëtejshëm të skenarit. Këto para autori mund ti përdorë për përkthim të skenarit apo fazë përgatitore të filmit.

Në bashkëpunim me World Vision, programi “Reporter”, në kuadër të festivalit do të organizohet një shkollë verore filmi me pjesëmarrjen të rinjve nga Shqipëria dhe Kosova. Ekspertë me përvojë do të trajnojnë të rinjtë në lidhje me pasqyrimin e tematikave të mprehta sociale. Një çmim special është parashikuar për punën më të mirë të të rinjve.

Çmimet e festivalit do të caktohen nga një juri ndërkombëtare, joballkanike, me pjesëmarrës të figurave të njohura të ekranit nga SHBA, Franca, Anglia, Italia, Austria, Spanja.

Të ftuar nderi të festivalit janë figura të njohura të kinemasë shqiptare: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Xhevdet Feri, Ndriçim Xhepa, Ema Andrea, Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Kujtim Çashku, Mevlan Shanaj etj. President nderi i festivalit është i mirënjohuri Viktor Zhusti./ KultPlus.com

Të ngjajshme