11 Prill, 2018 - 6:05 pm
Festivali i Filmit të Kanës ka zgjedhur që për edicionin e tij të 71-të të nderojë filmin “Pierrot le fou”, të regjisorit Jean-Luc Godard.
Në qendër të posterit zyrtar të këtij edicioni është aktori Jean-Paul Belmondo dhe Anna Karina, përcjellë KultPlus.com
Në posterin me tone të kaltërta dhe të verdha, Jean-Paul Belmondo dhe Anna Karina nga veturat e tyre zgjaten për të puthur njëri-tjetrin. Ky imazh është marrë nga një skenë e filmit “Pierrot le fou”. Godard ishte nderuar në vitin 2014 në Kanë me çmimin e jurisë.
Festivali i Kanës do të hapet më 8 maj, me aktorin dhe drejtorin Edouard Baer si mikpritës të festivalit dhe me aktoren australiane Cate Blanchett si presidente të jurisë.
Lista e filmave që do të jenë pjesë e festivalit do të publikohet të enjten në konferencën për media në Paris, shkruan culturebox.
Në vitin 2017 posteri i përdorur nga festivali ku shfaqej aktorja Claudia Cardinale kishte ngjallur kritika për ndërhyrjet në fotografi. / KultPlus.com