30 Dhjetor, 2017 - 9:30 am
Qendra Kinematografike e Kosovës kësisoj dje ka prezantuar raportin e punës për vitin që po lëmë pas. Një prej institucioneve më aktive në vend, QKK ka marrë pjesë në vitin 2017 në një numër të madh festivalesh dhe prezantimesh, përfshirë Berlinalen, Kanin, Beldocs Market, Annecy, Balkan Film Market dhe TIFFCOM në Tokio.
Një mundësi tjetër e jashtëzakonshme për filmat e mbështetur nga QKK ishte edhe arritja e marrëveshjes me Gjirafavideo, ku tani e tutje qytetarët e Kosovës do të kenë qasje në shikimin e filmave online, që ky institucion financon, duke qenë në favor të interesit publik dhe në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në filmat e Kosovës.
Në GjirafaVideo mund t’i shihni ekskluzivisht 9 filma shqip, shumica prej të cilëve janë fitues të çmimeve të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa pritet që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe me filma te tjerë vitin e ardhshëm. Filmat që tani më janë pjesë e kësaj platforme janë: ‘Ballkoni’ nga Lendita Zeqiraj, ‘Kolona’ nga Ujkan Hysaj, ‘Krom’ nga Bujar Alimani, ‘Ferdonija’ nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti, ‘Ne të tre’ nga Blerta Basholli, ‘Çlirimi’ nga Burim Haliti, ‘Cheers’ nga Norikë Sefa, ‘Përqafimi’ nga Lulzim Guhelli dhe ‘E kuqja’ nga Gazmend Nela. Deri më tani rreth 30,000 persona i kanë shikuar filmat në platformën online.
Gjithashtu, QKK i ka kushtuar rëndësi të veçantë zhvillimit sa më të madh të bashkëpunimeve ndërkombëtare. Me këtë rast janë hartuar drafte të bashkëprodhimit ndërkombëtarë me Bullgarinë, Kroacinë dhe Turqinë, marrëveshje këto të cilat pritet të nënshkruhen në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Në të njëjtën kohë është duke u punuar draft propozimi për anëtarësim në Eurimages. Drejtori i QKK-së, këtë vit ka qenë i pranishëm në dy Asambletë Gjenerale të European Film Promotion, ku QKK është anëtare, duke ruajtur komunikimin me të gjitha qendrat e filmit evropian dhe bashkëpunimin më të thellë me qendrat homologe rajonale.
Në 10 vjetorin e vdekjes së ikonës të kinematografisë kosovare, Faruk Begolli, QKK organizoi takimin përkujtimor për të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që vlerësojnë të arriturat e këtij aktori e regjisori të madh. Ky organizim është i pari i këtij lloji duke ndjerë nevojën që të mos harrohen njerëzit që kanë kontribuar dhe kanë rritur vendin tonë artistikisht. QKK planifikon që të vazhdoj me organizime të tilla, për të vlerësuar punën e artistëve dhe për t’u siguruar që veprat e tyre kinematografike nuk do të harrohen.
Për vitin 2018, QKK planifikon futjen në funksion të Rregullores për lehtësirat financiare, të cilat do të tërheqin investime të huaja në Kosovë, në fushën e industrisë së filmit, rregullore kjo që inkurajon dhe u hap rrugën investitorëve të huaj për të xhiruar në Kosovë. Poashtu do të lobohet për anëtarësimin e Kosovës në Euroimages si dhe në Creative Europe, këto dy platforma shumë fitimprurëse dhe të rëndësishme për vendin tonë dhe kinematografinë kosovare, me qëllimin e zhvillimit sa më të madh të industrisë tonë. QKK vitin e ardhshëm do të hartoj marrëveshjet e bashkëpunimit me Bullgarinë, Kroacinë dhe Turqinë, gjë që do të rrit bashkëprodhimin e Kosovës me këto shtete. Gjatë vitit 2018 shpresojmë që të hyj në funksion edhe Rregullorja e Ministrisë së Kulturës për sponzorizime, që do të jetë edhe një mundësi më shumë në gjetjen e fondeve alternative për filmbërësit kosovar. / KultPlus.com