25 Tetor, 2020 - 11:17 pm
Medina Pasoma
Një luftë njerëzore mes melankolisë së madhe që mendimet i prodhojnë, kthehet në një absurditet, që individi fillon të mendoj se çdo gjë është e kotë se dhe jeta nuk ka kuptim.
Robëria nga të jetuarit shfaqet nëpërmjet Robertit, personazhit kryesor të filmit të metrazhit të gjatë “Qiell i Trazuar”, i cili si premierë për publikun kosovar, përmbylli edicionin e sivjetmë të PriFest, shkruan KultPlus.
Në edicionin e 12të të PriFest, një ndër filmat e fundit shqiptar që u shfaqë ishte “Qiell i trazuar”, i cili nëpërmjet një realiteti aktual shfaq trazirat e qenieve të tyre.
Beteja më e madhe e njeriut është me mendjen e tij, e cila vepron si një “qenie brenda qenies”, duke vënë në pah veprime të cilat në kushte normale nuk do të ndërmerreshin. Kësisoj, psikiatri i cili iu kishte dalur në ndihmë shumë pacientëve të tij, fillon mos të ketë mundësi t’ia bëj të njëjtën vetes.
Thellësia ekzistenciale në të cilën frymon reflekton me pagjumësi, sjellje agresive, problem familjare, neglizhencë ndaj gruas të tij të suksesshme dhe pakujdesi ndaj fëmijëve. Në pamjen e jashtme, ai shfaqet sikur të kujdeset vetëm për veten e tij, duke u shndërruar në një egoist por, në fakt ai mendon t’ia bëj vetes një fatkeqësi përbrenda fatit. Ideja e vetëvrasjes është ajo që tërë kohën e preokupon, të cilën më vonë e merr vesh edhe familja, e cila shqetësohet tejet shumë për këtë gjë.
Për “Qiell i trazuar” si prodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës, regjisori dhe skenaristi Anton Nrecaj për KultPlus shprehet se do të dëshironte që premierën kosovare ta prezantonte në një mënyrë tjetër, duke i bashkuar shikuesit në një vend të vetëm për të kapur mesazhin që përçon ky film. Mirëpo, për Nrecaj sërish e rëndësishme mbetet pjesëmarrja në këtë festival, anipse në formën virtuale.
“PriFest është bërë një festival i rëndësishëm dhe një vend ku filmat vendor gjejnë gjithmonë hapësirë”, tha Nrecaj.
Jetësimi i temës së vetëvrasjes nëpërmjet interpretimeve artistike është e vështirë dhe do një përkushtim e përgatitje psikologjike, në mënyrë që aktorët ta bartin mbi supe një rrëfim jo të lehtë por, edhe aktual për dikë. Mirëpo, pikërisht kjo zgjoj interesimin e Nrecajt.
“Edhe më herët në pjesë teatrale, tregime e skenare kam trajtuar temën e vetëvrasjes. Si duket kjo temë më nxit kureshtjen”, theksoj Anton Nrecaj.
Mirëpo, ajo që e bën edhe më të veçantë filmin dhe që shkon përtej pritshmërive të publikut qëndron në ironinë e personit që ballafaqohet me këto problematika, i cili është shpëtimtari i të tjerëve por, jo edhe i vetes. Psikiatrin, në mendjen e së cilit iu sillet mendimi i vetëvrasjes, regjisori Nrecaj e përshkruan me shprehjen “edhe mjeku vdes”.
“Edhe ai tek i cili shkojmë të shërohemi një ditë vdes nga ndonjë sëmundje prej së cilës ndoshta e ka shëruar dikë tjetër”, thekson skenaristi dhe regjisori i “Qiell i trazuar”.
Ndërkaq emërtimin “Qiell i trazuar” ai e ndërlidh me mendjen, duke thënë se pikërisht ky qiell është anologji e saj.
Aktorët të cilët luajtën në këtë film ishin: Jehon Gorani, Arta Muçaj, Luan Kryeziu, Imer Kutllovci, Furtuna Aliu, Don Shala, Vedat Haxhiislami, May-Linda Kosumoviq, Fatlume Bunjaku, Ali Demi, Agim Sylejmani, Florist Bajgora./KultPlus.com