19 Janar, 2018 - 11:00 am
Qendra Kinematografike e Kosovës vitin e kaluar ka arritur marrëveshje me When East Meets West, i cili është forum i bashkëprodhimit me fokus vjetor në Evropën Lindore dhe Perëndimore, shkruan KultPlus.
Ky forum ndihmon producentët të identifikojnë fonde të ndryshme dhe fonde alternative, si dhe ndihmon në mundësitë e distribuimit në rajonet që kanë më shumë vëmendje. Gjithashtu, lehtëson në procesin e bërjes së politikave mes territoreve në fokus, në mënyrë që të nxiten bashkëprodhime të reja ndërmjet industrive që ende nuk janë të lidhura mirë.
Edicioni i vitit 2018 do të filloj më datë 21 deri 23 janar në Trieste të Italisë, ku pjesë e delegacionit të udhëhequr nga drejtori i QKK-së, janë filmbërësit me projektet e tyre filmike, si: Bujar Kabashi me projektin ‘Aga’, Ujkan Hysaj me ‘Hana’, Blerim Gjoci me ‘Kodra e Diellit’, Besnik Krapi me ‘Fusha e Mëllenjave’ dhe Fatmir Spahiu me projektin ‘Njeru i Dosjeve’. Gjatë këtij forumi tre ditor, drejtori i QKK-së, Arben Zharku, do të jetë pjesë e paneleve të ndryshme të diskutimit./KultPlus.com