14 Maj, 2019 - 1:30 pm
Kitaristi i “Queen”, Brian May, i ka hedhur poshtë spekulimet e mediave për sasinë e parave që i ka fituar bendi nga biopiku i Freddy Mercury, “Bohemian Rhapsody”, duke thënë se akoma “nuk e kanë fituar asnjë qindarkë”.
Filmi fitues i katërfishtë i “Oscarit” thuhet se i ka inkasuar rreth 900 milionë dollarë në mbarë botën, ndërsa revista britanike Sunday Times Rich List raporton se May, Roger Taylor dhe John Deacon të gjithë i kanë rritur pasuritë e tyre personale me mbi 20 milionë funte si rezultat i filmit.
Megjithatë, në një intervistë të re me BBC, May tha: “Ishte një punë e gjatë dashurie – rreth 12 vjet në zhvillim, supozoj. Menduam se do të kalonte mirë në fund dhe ndihemi mirë në lidhje me të, por nuk besuam se do të kalonte aq mirë. Është e pabesueshme në të gjithë botën – është si një film një miliarddollarësh”, shkruan KOHA Ditore.
Ai vazhdoi tutje: “Qesha ditë më parë sepse në një artikull lexova se ne po pasuroheshim nga ky film. Sikur ta dinin. E kishim një kontabilist ditë më parë, dhe ende nuk e kemi fituar asnjë qindarkë prej tij (filmit). Sa i suksesshëm duhet të jetë filmi përpara se të fitoni para? Shumë njerëz marrin fitime nga filmi dhe këtë njerëzit nuk e kuptojnë”.
Pavarësisht kësaj, ai tha se ishte një ndjenjë e “shkëlqyeshme” që u shfaq “Bohemian Rhapsody”. “Mendoj se Freddie del me dinjitetin e tij, por pa u ndryshuar në asnjë mënyrë”, shtoi ai. “Është shumë i vërtetë… Mendoj se njerëzit janë të befasuar se sa afër me Freddie ishte Rami [Malek]. Është fenomenal mënyra se si ai futet disi brenda trupit të Freddie – brenda lëkurës së tij”.