8 Tetor, 2023 - 4:00 pm
Nga data 10 deri më 14 tetor do të zhvillohen Javët Ndërkombëtare të Kulturës, me aktivitetet në kuadër të Javës Amerikane.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale spotin promovues të Javës Amerikane.
“Shqipëria mikpret botën”. Hyjmë në atmosferën festive të Javës së Kulturës Amerikane, të filmave dhe muzikës së Hollywood-it”, tha Rama.
I ftuari i nderit gjatë Javës Amerikane është ylli i Hollywood, aktori i Breaking Bad, RJ Mitte. I njohur për rolin e tij si ‘Walt Jr.’ në serialin fitues të çmimit Emmy ‘Breaking Bad’, RJ theu stereotipet dhe ndryshoi mendësi me pozitivitetin e tij.
RJ e ka kthyer aftësinë e tij ndryshe në pasuri duke punuar në çështje të lidhura me të drejtat e personave me aftësi ndryshe, gjithëpërfshirjen dhe kundër bullizmit.
Po ashtu, Ambasada e SHBA-së bashkë me organizatën “Crush” do të organizojë një turne të veçantë basketbolli në 14 tetor.
E konceptuar si një mozaik aktivitetesh kulturore, në Javët Ndërkombëtare të Kulturës, çdo javë do t’i dedikohet një shteti, ku në fokus do të jenë promovimi i vlerave dhe shkëmbimi i eksperiencave.
Nëpërmjet këtij organizimi synohet njohja dhe forcimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
Mbi 700 artistë do të bëhen pjesë e programit, ku ndër ta do të jenë dhe emra të njohur të arenës ndërkombëtare.
Edicioni i dytë i këtij viti përfundon më 30 nëntor 2023. / KultPlus.com