Regjisori norvegjez që ishte pjesë e UÇK-së, hapë festivalin IHRFFA

19 Shtator, 2017 - 10:09 pm

Regjisori norvegjez Paul Refsdal surprizoi publikun shqiptar, ashtu siç ka ndodhur më herët edhe me audiencat botërore, me filmin e tij “Dugma – The Button”, që trajton jetët e një grupi kamikazësh të ndryshëm të Al Qaedas në Siri.

Filmi çeli siparin e edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut dhe solli një mënyrë njerëzore të të parit të situatës në Siri.

“Kam punuar që në vitin 1984 me grupet rebele. Kam qenë në UÇK dhe me Tigrat e Tamilit. Kam vënë re se, kur ne jemi duke i luftuar këto grupe, jemi përpjekur t’i demonizojmë ato. Doja t’iu rrëfeja vendeve perëndimore se armiqtë tanë janë qenie njerëzore, njësoj si ne. Pra të tregoja anën tjetër të medaljes”, tha Paul Refsdal, regjisor e producent.

Refsdal është një gazetar i njohur “Freelance”, fotograf dhe dokumentarist, që ka raportuar nga shumë zona të nxehta lufte. Ai ka bashkëpunuar edhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998.

“Kur filloi lufta nuk dija shumë. Më pas fillova të lexoj dhe kuptova se duhej të isha në anën shqiptare të luftës. Pata kontakte me UÇK-në dhe u kërkova atyre të më fusnin në Kosovë. E bëra, por nuk isha me fat. U plagosa që në ditën e parë në Kosovë, kështu që kalova shumë kohë në spital. Mendoj se UÇK-ja ishte shumë me fat, që NATO vendosi të bombardonte Serbinë. Nëse jo, UÇK-ja mund të ishte shkatërruar, sepse ushtria serbe ishte shumë e fortë. Shumë njerëz në Kosovë, sot janë të zhgënjyer me atë që po ndodh pas luftës”, tha më tej Paul Refsdal.

Në atë kohë, nxjerrja e Refsdal nga zona e luftës është bërë me ndërmjetësimin e dy ministrave të Jashtëm të Norvegjisë dhe Serbisë, shkruan TCH./ KultPlus.com

Të ngjajshme