8 Gusht, 2019 - 3:00 pm
“Forgiving the Blood” quhet filmi dokumentar i regjisores angleze Melissa Llewelyn Davis i cili u shfaq mbrëmë në edicionin XVIII të festivalit Dokufest në Prizren.
Është quajtur aksion që të kujton dramën antike, një shfaqje, në pamje të parë disi anakronike për kohën e sotme e megjithatë kaq e domosdoshme për momentin që po kalonte populli shqiptar i Kosovës në fillimvitet `90 të shekullit të kaluar. Bëhet fjalë pra për aksionin e pajtimit të gjaqeve.
Po këtë titull, veçse në anglisht, “Forgiving the Blood” e bart edhe filmi dokumentar i regjisores angleze Melissa Llewelyn Davis i cili u shfaq mbrëmë në edicionin XVIII të festivalit Dokufest në Prizren.
Ndryshe nga shumica e filmave dokumentarë që kanë një numër të kufizuar shikuesish, filmin “Pajtimi i gjaqeve” ka ngjallur një interesim të madh të publikut. Kopshti i kinemasë “Lumbardhi” ku është shfaqur filmi, ka qenë përplot me shikues, shqiptarë dhe të huaj, të joshur nga tematika e njohur e filmit.
“Forgiving the Blood”, i realizuar dhe i shfaqur në vitin 1991 për BBC-në, na e sjell një pamje shumë realiste të kohës dhe të problemit që e ka marrë në trajtim. Autorja jep fillimisht një tablo impresive për të krijuar idenë e kontekstit kohor kur është zhvilluar aksioni i faljes së gjaqeve.
Rrëzimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Srbisë kishte ndodhur, çmendia nacionaliste e politikës millovisheviçiane tashmë kishte dhënë provat e para praktike ndërsa veprimet luftarake në hapësirat e ish Jugosllavisë po bëheshin realitet, shkruan albinfo.ch. Vrasjet e ushtarëve shqiptarë dhe sjellja e tyre nga ushtria në arkivole, vrasjet e shqiptarëve gjatë protestave të tyre paqësore po ashtu kishin ndodhur.
Si reagim ndaj të gjitha këtyre zhvillimeve, një grup të rinjsh të posadalë nga burgjet politike inicioi aksionin për pajtimin e gjaqeve. Në krye të këshillit u vendos studiuesi dhe njohësi i traditave shqiptare, Anton Çetta. Aksioni u përhap shpejt dhe u shndërrua në një formë të paparë dhe masive të rezistencës së shqiptarëve kundrejt aparatit serb të dhunës.
Nga e gjithë kjo lëvizje e gjerë, regjisorja Davis është fokusuar në vetëm një rast të dy familjeve të hasmuara, të cilin e ka përcjellë për disa muaj me radhë. Përpjekjet, ecekjaket dhe dështimet për të arritur faljen e gjakut në një fshat të Rahovecit, janë pasqyruar me një vërtetësi impresionuese dhe me një ndjenjë të admirueshme për detajet, nga ana e autores.
Ajo ka arritur të përcjellë te publiku të gjithë nuancat e dhimbjes, dëshpërimit, frikës dhe dilemave jetësore të dy familjeve në gjak. Në njërën anë është familja që ka humbur djalin dhe në anën tjetër familja e dorasit. Të dyja palët pasqyrohen me vërtetësi dhe jashtë skemës bardh-zi.
Në këtë tablo të gjerë epike, regjisorja nxjerr në pah, veç tjerash, vlerat njerëzore, fisnikërinë por dhe dilemat jetësore të një popullate të varfüër e të shtypur.
Duke folur para publikut për filmin e sj, Davis ka evokuar kohën kur kishte marrë përsipër realizimin e tij, duke e kujtuar atë si një kohë të rëndë e të zymtë për shqiptarët. Ajo e kishte marrë këtë detyrë nga BBC në kuadrin e një serie dokumentarësh për nacionalizmin.
Përcaktues për të trajtuar pikërisht gjakmarrjen në Kosovë, ka qenë takimi i saj me fotografen shqiptaroangleze, Lale Meredith Vula, në Londër.
“Ajo mi tregoi disa fotografi nga ai që quhej “Pajtim i gjaqeve” për të cilin në Angli ne nuk e kishim idenë. Kështu unë tashmë e kisha të qartë subjektin e filmit tim te ri dokumentar”, ka thënë veç tjerash regjisorja. Vula pastaj ka qenë dora e djathtë e saj në realizimin e filmit,
Para publikut, veç regjisores Davis është prezantuar edhe Lale Meredith Vula, si konsulente dhe bashkëpunëtore në film dhe Nerimane Kamberi po ashtu konsulente dhe përkthyese.
Në ambientin ku është shfaqur filmi kanë qenë të pranishëm edhe disa nga protagonistët e tij, gjegjësisht familjarët e të riut të vrarë në vitin 1989. Kjo familje edhe gjatë luftës së fundit ka humbur sërish pjesëtarë të saj dhe është djegur e shkrumbuar, siç ka thënë regjisorja Davis, shkruan albinfo.ch. Njëri nga anëtarët e familjes, Muhameti i, cili në kohën kur është xhirar filmi ka pasur vetëm 2 vjet, ka falënderuar regjisoren angleze për realizimin e filmit dhe Dokufestin për organizimine shfaqjes speciale të këtij filmi.
Rreth filmit “Pajtimi i gjaqeve” është zhvilluar një debat me pyetje dhe përgjigje për regjisoren e tij, Melissa Llewelyn Davis. /KultPlus.com