7 Korrik, 2019 - 3:30 pm
Leslie Thomas është regjisore e avokuese e të drejtave të njeriut. Një grua e fuqishme, e cila artin e përdor si mjet për të shfaqur problemet e botës, të cilat mund edhe të mos zgjidhen.
Arti i saj është një reflektim i asaj që po ndodh nëpër botë duke ua zgjatur një dorë viktimave të krimeve të ndryshme, shkruan sot “Koha Ditore”. Pjesë e veprave të saj artistike janë përjetimet e fëmijëve të trafikuar, grave të trafikuara, fëmijëve që detyrohen për të punuar, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë konflikteve, njerëz që kanë përjetuar gjenocidin, që përjetojnë dhunë me bazë gjinore, apo u mungojnë kushtet themelore të kujdesit shëndetësor.
Artin ajo e sheh si një mjet për të biseduar me këtë pjesë të shoqërisë. Qëllimi i saj është që të ndërtohet një botë ku çdokush mund të ndihet i lirë të tregojë përjetimet e tij gjersa luftohet që ato të mos përsëriten. Një sërë ligjesh ekzistojnë e ajo që duhet bërë është vënia në zbatim e tyre. Sistemi i drejtësisë është një hapësirë tjetër ku Thomas eksploron përmes artit.
Një rrugë me shumë ndalesa deri te regjia
E lindur në veri të Kalifornisë, mirëpo e rritur në jug, Leslie Thomas ka krijuar që në fëmijëri një lidhje me natyrën. Midis maleve dhe detit ajo ka kuptuar se njerëzit jetojnë në të njëjtin ambient, prandaj duhet që të kujdesen për njëri-tjetrin.
Kjo ishte edhe shkëndija e parë e ndezur brenda saj për t’ua zgjatur një dorë të tjerëve. Kjo e bënte edhe atë të kapej për dikë tjetër e të ndihej më e fortë. Si adoleshente, ajo një pjesë të madhe e kalonte duke udhëtuar. E gjendur në një situatë ku njerëzit përreth saj ndryshonin vazhdimisht, Thomas asnjëherë nuk ka qenë në qendër të vëmendjes.