25 Mars, 2025 - 6:12 pm
Albert Vataj
Pas dekadash të tëra ku kinematografia shqiptare e periudhës së realizmit socialist është përballur me fushata denigruese dhe një revizionizëm të egër kulturor, rikthimi i “Ngadhnjim mbi vdekjen” në cilësinë 4K shënon një moment të rëndësishëm për rivlerësimin e kësaj tradite të pasur artistike. Për vite me radhë, prodhimet e Kinostudios “Shqipëria e Re” u gjykuan jo vetëm përmes syrit kritik të historisë, por shpesh edhe si objekt sulmi ideologjik, duke u përpjekur të fshihet trashëgimia e një arti që, pavarësisht kornizave ideologjike të kohës, përmban vlera të padiskutueshme artistike, estetike dhe emocionale.
Një nga filmat më ikonë të kinematografisë shqiptare, “Ngadhnjim mbi vdekjen”, vjen i restauruar në cilësinë 4K, duke rikthyer shkëlqimin e tij të plotë pas 58 vitesh nga realizimi. Sot, më 25 mars 2025, ky film historik, i drejtuar nga Gëzim Erebara dhe Piro Milkani, do të shfaqet premierë në versionin e restauruar, duke sjellë një përvojë të re vizuale dhe auditive për shikuesit.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku vlerësoi këtë proces restaurimi si një mënyrë për të nderuar jo vetëm filmin dhe ekipin e tij, por edhe vetë historinë që ai përcjell.
“Ky version i restauruar në 4K rikthen shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit, duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit,” – shkruan Rama.
I realizuar në vitin 1967, “Ngadhnjim mbi vdekjen” është një dramë e fuqishme e vendosur gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria ndodhej nën pushtimin nazist. Filmi bazohet në ngjarje të vërteta dhe sjell historinë tragjike të dy vajzave të reja, të cilat, pas torturave mizore nga gjermanët, ekzekutohen publikisht për të terrorizuar popullsinë.
Filmi është frymëzuar nga historia e Bule Naipit dhe Persefoni Kokëdhimës, dy heroinave të cilat u ekzekutuan nga nazistët për shkak të lidhjeve të tyre me lëvizjen komuniste. Ky rrëfim tronditës është sjellë në ekran me një mjeshtëri të jashtëzakonshme nga kast i mirënjohur aktorësh.
Eglantina Kume luan Mirë, Edi Luarasim, Afërditën, Naim Frashëri, laun Hans von Shtolc, kapiteni gjerman, Rikard Ljarja sjell në këtë film Perlatin, Sheri Mita, Villi Heller është në këtë film në rolin e një togeri gjerman, për Timo Flloko, Fatosi, Demir Hyskja, luan spiunin Zyni Shaqiri. Në rolet e tjera, Andon Qesari, luan Skenderin, Antoneta Fishta, jëtëson në këtë sfidë te kinematografisë shqiptare rolin e nënës së Mirës. Drita Haxhiraj, i është besuar roli i gjimnazistes, për Pandi Raidhi, xha Teloja. Në rolet episodike, vjenë Arqile Nesho, Lec Bushati, Sandër Prosi është mësuesi. Për të vijuar me Diana Peza, Fioralba Paço, Saimir Kumbaro, Lec Shllaku, Petrit Llanaj është Vasili, këpucari, Xhemil Tagani dhe Zejnulla Hatibi.
Pavarësisht vlerave artistike dhe historike, “Ngadhnjim mbi vdekjen” u ndalua nga qarkullimi për një periudhë të gjatë. Pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH, ku ndodhën zhvillime politike të papëlqyeshme për regjimin, aktorja Edi Luarasi u dënua, dhe për pasojë, filmi u ndalua nga kinema dhe televizioni për rreth dy dekada.
Restaurimi i këtij filmi në 4K është një ngjarje me rëndësi jo vetëm për kinematografinë shqiptare, por edhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ky proces jo vetëm që rikthen estetikën e tij vizuale dhe cilësinë e zërit, por edhe riafirmon rëndësinë historike dhe artistike të një prej kryeveprave më të mëdha të filmit shqiptar.
Me premierën e tij të re, “Ngadhnjim mbi vdekjen” rikthehet për të prekur edhe një herë zemrat e publikut dhe për të sjellë në vëmendje sakrificën e atyre që luftuan për lirinë.