11 Janar, 2021 - 11:12 am
Derisa adhuruesit anembanë botës e festuan lajmin se “Sex and the City”, po rikthehet në ekran me një edicion special, megjithatë ata janë kureshtarë ta dinë nëse aktorja e rolit të Samanthas do të zëvendësohet.
Aktoret e kastës origjinale të serisë, Sarah Jessica Parker e cila e portretizon protagonisten Carrie, Cynthia Nixon që vjen në rolin e Mirandas dhe Kristin Davis që e luan rolin e Charlottes, tashmë e kanë konfirmuar lajmin se do të rikthehen në projektin special me titull “And Just Like That”, i cili do të transmetohet në platformën HBO Max. Ato do t’i përsërisin rolet e tyre në serinë 10 episodesh, e cila vjen me histori të freskët dhe xhirimet e saj pritet të fillojnë këtë pranverë në New York City.
Por njëra aktore e cila nuk do të rikthehet në këtë projekt është, Kim Cattrall, e cila në serinë e shpërblyer me “Emmy” e luante rolin e Samantha Jonesit. Ajo ka treguar publikisht se nuk do të përfshihet në vazhdimet e këtij projekti për shkaqe personale, duke vënë në pah edhe raportet e këqija të saj me yllin e serisë, Sarah Jessica Parker.
Ndërkohë platforma HBO Max nuk ka dhënë detaje nëse ky personazh do të zëvendësohet nga ndonjë aktore tjetër, apo do të largohet nga historia e serisë së ardhshme.
Parker e ka postuar një video në Instagramin e saj, e cila e paralajmëron projektin e shumëpritur, duke e konfirmuar kështu se diçka e re po vjen së shpejti. / KultPlus.com