Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” po kthehet në film

8 Shkurt, 2021 - 3:41 pm

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një nga romanet jo vetëm më të mirë të shkrimtarit Dritëro Agolli, por të të gjithë letërsisë shqipe, tashmë po kthehet edhe në film, përcjellë KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga Elva Margariti, e cila tregoi se skenari dhe regjia do të jenë nga Fatmir Koci dhe filmi do të jetë prodhim i shtëpisë kinematografike “KKoçi Production”.

“Ishte kënaqësi të shihja kaq shumë të rinj, jo vetëm në rolet kryesore të filmit, por edhe në paskuinta, çka na jep besim se një brez i ri aktorësh e kineastësh kanë nisur udhëtimin e tyre”, ka shkruar Margariti.

Ky film, i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë është bashkëprodhim me shtëpinë filmike “Circle Production”, me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe shtëpinë filmike “KINO OKO”, Maqedonia e Veriut.

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), është kontributi më i rëndësishëm letrar i Dritëro Agollit në prozë. Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari “në vijë”, romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit të tij, Demkës, një kalemxhi i stërvitur, që pak nga pak është ndarë me talentin. / KultPlus.com

Të ngjajshme