Rozafa Çelaj, aktorja që mori fokusin e kritikëve botërorë, shumë shpejt në rolin e regjisores

31 Dhjetor, 2019 - 8:00 pm

Jeta Zymberi

Role, sfida, çmime, kritika e krahasime të nivelit botëror, ishin vetëm disa nga arritjet e aktores Rozafa Çelaj për një kohë relativisht të shkurtër në karrierën e saj. Kinematografisë shqiptare ajo iu bashkua në mënyrë më sfiduese këto vitet e fundit. “Konflikti” i saj me botën e aktrimit zuri fill qysh në fëmijëri. Të rriturit në një familje artistësh, ka bërë që Rozafa Çelaj të jetë gjithmonë pranë teatrit dhe filmit. Ajo ishte aktive me disa paraqitje teatrale dhe filmike qysh në fëmijëri, por roli i parë serioz ishte ai në filmin e shkurtër “Gardhi” nga Lendita Zeqiraj, këtu ku edhe spikati talenti i Rozafës. Entuziazmin për pranimin e rolit të parë, sfidat, sukseset dhe ballafaqimin e saj me nënën në skenë, Rozafa i përmbledh në një intervistë ekskluzive për KultPlus, të cilën e nis duke shpalosur hapat e parë në karrierë.  

“Isha shumë e entuziazmuar për të filluar punimin e atij filmi dhe sot e asaj dite mbetet një përvojë shumë e veçantë. Pas përfundimit të filmit “Gardhi”, regjisorja Zeqiraj ishte e vendosur që në projektin e saj të radhës do të donte që të isha pjesë e kastës së aktorëve dhe normalisht që rruga do të vazhdonte pasi ishte diçka që herët ose vonë e dija se nuk do t’i ikja”.

Profesioni i prindërve ndikon pa vetëdijshëm tek fëmijët dhe është ndër profesionet e para që ata ëndërrojnë. Duke pasur të dy prindërit aktorë, Ilire Vincën dhe Lirak Çelajn edhe ndikimi të Rozafa ishte gati i pashmangshëm.

“Përkushtimi dhe dashuria e prindërve të mi ndaj profesionit të tyre mendoj që ka ndikuar që edhe unë ta çmoj. Duke i ditur vështirësitë shpesh herë kanë provuar edhe të më largojnë nga fusha e artit të cilën tash e kuptoj në një mënyrë por asnjëherë nuk ma kanë imponuar asnjë profesion”.

Sapo iu bashkua me seriozitet kinematografisë shqiptare, Rozafa Çelaj u bë pjesë e tre prej filmave më të suksesshëm kosovarë për këto dy vitet e fundit, “Gardhi”, “Shpia e Agës” dhe “Në Kërkim të Venerës”, ky sukses i menjëhershëm ka rritur ndjenjën e përgjegjësisë për të.

“Është fat të jesh pjesë e projekteve të tilla, të shohësh gjithë atë punë dhe të vlerësohesh brenda dhe jashtë vendit, pa dyshim një ndjenjë e mirë. Por kjo gjithashtu nënkupton rritjen e përgjegjësisë dhe punës e cila asnjëherë nuk është e lehtë”.

 “Shpia e Agës” film ku Rozafa portretizoni një ndër rolet kryesore, hapi konkurrencën e ‘East of the West’ në festivalin ndërkombëtar Karlovy Vary të Çekisë, ky ishte edhe prezantimi i parë për të në një festival kaq prestigjioz, se sa ishte i fortë emocioni dhe barra e saj si aktore e këtij filmi, ajo shprehet kështu:  “Emocioni më i fuqishëm është reagimi i publikut, sidomos kur personazhi dhe filmi është një ngjarje autentike dhe merr përmasa jashtë atyre kufijve”.

Figura e saj nuk ka mbet pa rënë në sy edhe nga kritikët e filmit ndërkombëtar. Prof. Dr. Maja Bogojević, teoriciene dhe kritike e filmit, figurën e Rozafës e ka krahasuar me atë të yllit botëror, Juliette Binoche.

“Është e rëndësishme që puna jonë, e artistëve tanë të ketë audiencë ndërkombëtare dhe kur kjo vlerësohet nga kritikë të filmit tregon nivelin e lartë të artistëve tanë.”

Duke trajtuar jetën e pesë grave, secila viktima të fatit të tyre, pjesë e të cilave ishte edhe Ermira, rolin e së cilës e luan Rozafa te filmi “Shpija e Agës”, ajo doli fituese e çmimit të aktores më të mirë në festivalin ndërkombëtar Cine Balkan Panorama, ky njëherit është çmimi i parë për të si aktore, por Rozafa pohon se asnjëherë nuk e mendon punën e çmimeve kur merr role. Për të e rëndësishme është t’i përkushtohet maksimalisht punës, ndërsa kur vlerësohet me çmim kjo është vetëm një shtytje.

Bashkë me koleget e saj aktore te filmi “Shpia e Agës”, ato fituan çmimin e përbashkët për aktoren më të mirë në festivalin prestigjioz të Cotbusit, Gjermani,  një tjetër sukses, ndonëse i përbashkët, por ky çmim ishte lehtë i kuptueshëm. Shpërblimi si ekip në këtë rast, erdhi për faktin se raporti i pesë grave në film ishte me të vërtetë organik, duke mos lënë hapësirë të ndahen.

“Ashtu siç kemi qenë prapa kamerave mendoj që njëlloj pasqyrohet edhe shihet puna e përbashkët dhe mbështetja e secilës për njëra tjetrën edhe në film”, arsyeton kështu Rozafa çmimin e përbashkët.

Ka ndarë skena me shumë aktore, por ajo ka luajtur edhe përkrah nënës, Ilire Vincës. Ky bashkëpunim e ka sjellë Rozafën në një rezultat.

“Deri sa nuk fillova vetë të merresha me aktrim nuk ma kishte marr mendja që është aq vështirë sa e kam kuptuar tani. Duke e parë kaq shumë vite nënën time Iliren duke performuar, dukej shumë më e lehtë nga këndi i publikut, e ta bësh të duket ashtu mendoj që është një ndër mjeshtëritë kryesore. Këtë e pashë edhe kur pata rastin ta kem partnere dhe si e tillë me profesionalizmin e saj më ndihmoi të ndaj raportin personal me atë të një partnereje në skenë”.

Për të fituar kaq shpejt dashurinë e regjisorëve dhe publikut, nuk është e lehtë. Por modestia nuk e lë Rozafën të vlerësojë vetën. Ajo pohon që punën e merr me shumë dashuri dhe përkushtim.

Secili rol e përballë aktorin e sfida të reja. Për Rozafën këto sfida nuk krahasohen me njëra tjetrën,  secili rol është proces nga fillimi. “Përvoja ndihmon, por në gjëra praktike apo teknike”, thotë ajo.

Në të ardhmen, Rozafa pritet të vijë edhe në rolin e regjisores. Angazhimet e vazhdueshme si aktore, nuk i kanë dhënë mundësi të fokusohet ende në regji, po kjo nuk do të marrë edhe shumë kohë. Ajo pohon për KultPlus se nuk do ta lërë edhe shumë gjatë pas dore regjinë.

Ka pasur zëra që Rozafa do të tërhiqet nga aktrimi, por sipas saj ajo ende nuk i ka hyrë mirë kësaj punë, e për tërheqje nuk bëhet fjalë.

“Ende nuk jam në pikën që kam hyrë në këtë profesion që të tërhiqem nga ai. Jam duke e shijuar punën momentale dhe nuk e mendoj si diçka që duhet të vendosi në atë mënyrë. Jam ende në fazën e zbulimit. Meqë jam edhe regjisore e filmit e vetmja “tërheqje” do të ishte zhvendosja ime prapa kamerës.”

Për të demantuar këtë, më mirë se gjithçka do të flas puna e saj në vazhdim. Ajo tashmë është angazhuar në disa projekte të cilat do t’i zbuloj gjatë vitit 2020. Deri atëherë do të mund të shijoni rolet e saj në filmat e realizuar deri më tani. / KultPlus.com

Të ngjajshme