26 Dhjetor, 2017 - 11:00 am
Ata ngelen padyshim një nga çiftet ikonë të kinematografisë shqiptare. Bëhet fjalë për Marjeta dhe Rikard Ljarjan. E ftuar në Pasdite në Top Channel, aktorja e njohur tregoi për herë të parë në publik takimin e saj me Rikardin gjatë xhirimit të një filmi. Po ashtu ajo u ndal edhe tek dashuria e tyre si dhe martesën dy vjet më pas.
“Unë ngelem fëmija, me ëndrra të vazhdueshme, ndërsa Rikardi është natyrë tjetër, më i rëndë, i zhytur në botën e tij të librave, por çiftet kështu janë, të kundërta”, tha Marjeta. Ajo tregoi se sot ata janë bërë gjyshër. “Sot gëzojmë vajzën, djalin, fëmijët e tyre dhe presim të tjerë siç vazhdon jeta. Unë kam bërë lëshime dhe falënderoj Rikardin që ka bërë lëshime ndaj meje”, tha aktorja.
Ajo ka kujtuar edhe ditën e dasmës, kur është bërë nuse vetë. “Po, po, e thjeshtë siç kam qenë gjithmonë dhe tani që mezi pres ta heq grimin, ashtu kam qenë dhe ditën e dasmës. U rregullova vetë, shpejt e shpejt rregullova flokët, vendosa ato lulet…Por atëherë ishte gjithçka për herë të parë dhe shkëlqenin sytë. Sot po të më japësh një fotografi duhet të më thuash cila është nusja. Ti mund ta kesh njohur vajzë, por nuk e njeh nuse”, pohoi aktorja./KultPlus.com