14 Mars, 2023 - 7:00 pm
Aktori Shkelqim Islami, së fundmi ka sfiduar veten me shkrimin e skenarëve, shkruan KultPlus. Islami, ka shkruar mbi 30 skenare që sjellin kohën e stërgjyshërve tanë përmes tregimeve të shumta shqiptare, skenare këto qe shumica nga to kanë autorësinë e aktorit, ndërsa të pakta janë ato që ka marrë nga librat apo tregimet e dëgjuara.
Djemtë ushtarë, lindja që gratë asokohe kanë bërë në shtëpi, bestytnitë, gjakmarrja, mexha, kaqakët, grabitja e nuseve, e shumë e shumë tema të tjera, Islami i ka trajtuar nëpërmjet këtyre skenarëve, të cilët janë jetësuar nga produksione të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.
Islami, për KultPlus, tha se shkrimin e ka pasion të kamotshëm, ndërsa u shpreh shumë falënderues për produksionet me të cilët ka punuar për besimin që ia kane dhënë.
“Shkrimin do thoja se e kam edhe të trashëguar nga i ndjeri babai im, i cili ka qenë shume i dhënë pas shkrimeve të shumta e kryesisht poezive. Unë jam jashtëzakonisht falënderues ndaj produksioneve me të cilët kam punuar për besimin që ma kanë dhënë.
Këto skenare janë të shkruara me vëmendje të madhe nga unë, dhe trajtimin jam mundu me e bërë të barabartë, pasi që, asokohe e dimë shumë mirë se çfarë roli kanë pasur gratë e çfarë burrat. Nëse shihen me vëmendje, këto skenare i japin një hapësirë shumë te madhe gruas dhe fjalës së saj, e poashtu rolit të saj kyç në familje e shoqëri”, tha Islami.
Këto tregime që janë të publikuara në kanalin e YouTube-së, kanë mbledhur një audiencë te madhe, ndërsa shohim që ka komente shumë pozitive për të gjitha temat e prekura. “Jam befasuar nga reagimet pozitive qe kam marrë nëpër rrjete sociale me këto tregime. E këto komente me kanë bërë që të punoj edhe më fort në këto skenare. Në këtë rrafsh, një duartrokitje e madhe shkon për kolegët e mi, aktorët e dalluar shqiptar ne Maqedoninë e Veriut, e po ashtu edhe regjisorët e producentët”, pohoi Islami.
“Tash së fundmi kam shkruar 19 tregime popullore për produksionin Seven Images – producentin Driton Ramadani, e të cilat janë realizuar nën regjinë e Musa Isufit. Ndër këto tregime do kisha veçuar HEROI-n, që në skenar kam shkruar edhe një këngë qe i këndohet pikërisht HEROI-t, të tregimit”, tregoi Islami. Vlen të theksohet se këto tregime kanë filluar të bëhen edhe nga produksione të tjera, mirëpo zanafillen e realizimit e kanë nga aktorët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që nga vitet e 80-ta./KultPlus.com