4 Tetor, 2019 - 10:51 am
Jeta Zymberi
Sukseset e filmave shqiptarë po dëshmohen në nominime, e çmime të shumta në festivale të ndryshme botërore, shkruan KultPlus.
Ndonëse tek ne filmat realizohen me shumë vështirësi, kryesisht financiare, është puna e madhe e regjisorëve e aktorëve që po rezultojnë që këta filma të shfaqen karshi atyre botërorë e madje shpesh edhe të dalin triumfues.
Një ndër filmat shqiptar që rrugën drejt suksesit e ka nisur qysh në fillim e po vazhdon fuqishëm, është edhe “Rruga”, film ky i realizuar nga regjisori Besim Ugzmajli i cili gjithmonë përkujdeset të thumbojë me temat që i trajton në projektet e tij filmike.
Filmi i metrazhit të shkurtër “Rruga”, trajton temën e trafikimit me qenie njerëzore dhe pikërisht kjo temë është një nga pikat e forta që e ka bërë filmin të ketë sukses.
“Meqë kjo temë vazhdimisht trajtohet përmes kinematografisë, unë jam munduar të gjejë diçka sa më origjinale dhe që është ekskluzivisht ngjarje kosovare. Prandaj konsideroj që njëra prej arsyeve që filmi ka pritje të mirë, është fakti i origjinalitetit të tij në disa segmente”, ka thënë regjisori Ugzmajli për KultPlus.
Gresa Pallaska, Mal Noah Safqiu, Mevlan Saraçi, Milot Salihu dhe Sherif Bega janë aktorët që luajnë në këtë film, i cili edhe në trilerin e tij tregon se është premtues dhe i veçantë në këtë trajtim.
Lena dhe Genti takohen në një situatë të pazakontë, por tregimi i tyre është më i ndryshëm sesa duket e tingëllon në fillim. Të dytë kanë përjetuar dhimbje të shkaktuar prej njerëzve tjerë.
Kjo histori e veçantë ka bërë që filmi të ketë seleksionime të shumta në festivale me bagazh.
I kënaqur me ecurinë e filmit është edhe regjisori Besim Ugzmajli, i cili për KultPlus ka treguar më shumë për këtë sukses.
“Jam shumë i kënaqur me ecurinë e filmit në festivale të ndryshme. Filmi do të vazhdoj edhe në festivale të tjera relevante përgjatë vitit, dhe kjo sigurisht është një motiv për punën tonë”.
Filmi deri më tani është përzgjedhur në disa festivale, por e rëndësishme për regjisorin është fakti se filmi po shihet gjithkah nëpër botë, dhe kjo i shton kënaqësi punës. Por, ai pohon që kënaqësinë kryesore e ka gjetur gjatë procesit të realizimit të filmit, por që festivalet po ja shtojnë atë.
Filmi i cili premierën kombëtare e pati në muajin gusht në DokuFest, deri më tani ka qenë në disa festivale, tri prej tyre festivale të akredituara nga Akademia Oscar.
Regjisori ka treguar se filmi deri tani është përzgjedhur për Edmonton International Film Festival në Kanada, Rhode Island International Film Festival”, në festivalin e 19-të Ndërkombëtar të Filmit në Kansas, në Tirana International Film Festival, në XXVI Oldenburg Film Festival në Gjermani, në Tetova International Film Festival, në Maqedoni, Seanema Film Festival në Mal të Zi, Annual St Cloud Film Fest në Minnesota, Ravac International Film Festival në Maldova, si dhe së fundmi në Route 66 International Fil Festival në Springfield.
Selektimi i filmit në këto kategori është shumë i rëndësishëm për regjisorin, por edhe ndonjë çmim eventual, do të ishte vetëm një motiv plus, thotë ai.
Tashmë distributori ka në listë edhe disa festivale në të cilat është shumë optimist, dhe sigurisht që shumë shpejtë pritet që filmi të ketë seleksionime të reja.
I pyetur nga KultPlus se cili element bëri që filmi të seleksionohet e pëlqehet aq shumë, regjisori ka thënë: Nuk mund ta di me siguri, por ndoshta loja e mirë e aktorëve dhe puna e përbashkët e të gjithë ekipës.
“Filmi ka pasur deri më tani një sukses kogja solid, mirëpo unë konsideroj se jemi në mes të rrugës së filmit “Rruga”.”
“Rruga” është prodhim i Figurina Film’s me producent, skenarist dhe regjisor Besim Ugzmajlin.
Ugzmajli me filmin paraprak “Forgive me” është prezantuar në rreth 55 festivale të filmit në botë, duke triumfuar në dhjetë prej tyre dhe duke u nominuar në 15 kategori të rëndësishme që vlerësojnë filmat me arritje. Ndërsa filmi “Rruga” është në vijën e njëjtë por me të gjitha gjasat do vazhdojë edhe gjatë të jetë pjesë e seleksionimeve e pse jo edhe triumfit. / KultPlus.com