21 Maj, 2024 - 4:30 pm
Filmi i ri nga Samir Karahoda, “Rrugës”, është përzgjedhur zyrtarisht për garën e filmave të shkurtër në edicionin e 77-të të Festivalit të Kanës . Kjo është hera e dytë që një film në regji të Samir Karahodës përzgjedhet për garën zyrtare të Festivalit më prestigjioz në botë, pas filmit “Pa Vend” që e kishte premierën në Cannes në vitin 2021.
Filmi “Rrugës” sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen.
“Rrugës” është shkruar nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, duke integruar tregime personale dhe elemente autobiografike, që pasqyrojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit. Gjatë këtij udhëtimi të shkurtër, udhëtimi i tyre bëhet një eksplorim i lidhjes së tyre mes sfidave shoqërore dhe pasigurisë që ata kanë në atdheun e tyre.
Në rolet kryesore paraqiten Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda. Samir Karahoda përveç regjisë dhe skenarit, gjithashtu ishte edhe drejtor i fotografisë. Filmin e montoi me mjeshtëri Enis Saraçi.
Filmi është produksion i ‘SK Pictures’ me producentë Eroll Bilibani dhe Samir Karahoda.
“Rrugës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosoves, Televizioni Kulturor Europian ‘ARTE’ dhe Televizioni Finlandez ‘Yle’.
Filmi në Cannes do të prezantohet më 24 maj, në ora 11:00 dhe është në garë për çmimin prestigjioz “Palma e Artë”. / KultPlus.com