24 Janar, 2019 - 2:00 pm
Gili Hoxhaj
Ditëlindja e 90-të e regjisores Xhanfise Keko u shënua sot edhe në Prishtinë, përmes kujtimeve, fotografive, e pamjeve të filmave që ajo ka krijuar. Të gjitha këto erdhën të përmbledhura në filmin “Koha e pelikulës” të realizuar nga regjisori Mevlan Shanaj.
Keko ishte regjisorja e parë e filmit shqiptar për fëmijë dhe konsiderohet si pionierja e atij zhanri filmi në Shqipëri. “Koha e pelikulës” që erdhi sot parmes ekranit të Kinemasë “ABC”, e dëshmon më së miri përkushtimin e saj ndaj kinematografisë, aty ajo kishte fokusuar botën e madhe në sytë e fëmijëve të vegjël. Sot, filmat e saj nuk konsiderohen vetëm filma për fëmijë, por filma që përmes tyre prekin të rriturit. Krijuese e rreth 25 filmave, filmat më të njohur të saj janë: “Kryengritje në pallat”, “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Beni ecën vetë”, “Tingujt e luftës”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Një vonesë e vogël”, shkruan KultPlus.
Dokumentari kushtuar Xhanfise Kekos “Koha e pelikulës” është konceptuar si një rrëfim i autores, mbështetur në librin e saj “Ditët e jetës sime”, kujtime dhe libri i shkruar nga aktorët e saj të vegjël “Teta Xhano”. Organizuar në skenar nga Natasha Lako brenda këtij materiali si bazë shërbejnë kujtimet e Xhanos të qëmtuara dhe lexuara si monolog. Materialet ilustruese ngarkuar me imazhe, nga arkivi kronikat, filmat artistik dhe mjediset kryesore të autores, që nga qyteti i lindjes Gjirokastra, Dardha fshati i Endri Kekos, bashkëshortit të saj.
“Është e madhe përgjegjësia kur njerëz të famshëm publikisht vendos t’i sjellësh në ekran në dimensionin e tyre që të bëhen model. Kështu ndodhi edhe me mua para se të vendosja të sillja në ekran regjisoren Xhanfise Keko, një nga njerëzit që kanë krijuar panteonin jo vetëm të filmit, por dhe të dimensionit të madh të shoqërisë”, shkruan regjisori Shimaj.
Ky aktivitet erdhi sot në Prishtinë, nën patronatin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemal Minxhozi.
Me këtë rast, ministri tha se koha ka treguar se Xhanfise Keko i ka kapërcyer caqet e një autoreje filmi për fëmijë, pasi tematikat e filmave të saj mbeten aktuale sa u takon marrëdhënieve të fëmijëve me natyrën, prindërit, shokët, mësuesit, misterin, dhunën, të vërtetën, padrejtësitë.
“Zonja e madhe e filmit shqiptar” siç quhet me të drejtë, ajo me 4 janar mbushi 90 vjet, ne sot po e festojmë së bashku ditëlindjen e saj pasi e meriton nderimin e Kosovës, artistja e madhe që na nderoj e na beri krenar të gjithë shqiptarëve”, tha ministri Gashi.
Më tutje ai shtoi se artistja unikale e filmit shqiptar i ka lënë trashëgimisë kombëtare, një numër kryeveprash filmike nga më të dalluarat e më të rrallat, nga më jetëgjatët dhe më të mirëpriturit për publikun shqiptar dhe i ka sjellë kinematografisë shqiptare vërtetësinë dhe realizmin e thjeshtë të jetës, duke sfiduar çdo element propagandistik të kohës.
“Regjisorja shqiptare Xhanfise Keko zë një vend të nderuar në altarin e kinematografisë botërore, ku deri në vitet 60 regjisoret gra, veçanërisht në filmin e gjatë artistik pothuajse mungonin krejt”, tha tutje Gashi.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemal Minxhozi në fjalën e tij para të pranishmëve në kinemanë “ABC”, u shpreh se regjisorja Xhanfise Keko po e rijeton një jetë të dytë për shkak të vëmendjes që po merr viteve të fundit nga studiuesit e huaj të filmit.
“Para së gjithash, ajo përfaqëson kinemanë në një vend të vogël dhe të panjohur më parë nga perëndimi. Ka krijuar në një kohë më të vështirë për krijuesit tanë, gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Ka krijuar në kohën më të vështirë për cilindo”, theksoi Minxhozi.
Pak minuta para se të shfaqej dokumentari, fjalën e mori regjisori Mevlan Shanaj i cili tha se duhet mbajtur mend që Xhanfise Keko është themeluese e ekranit të madh të Shqipërisë. Shanaj tha se regjisorja Keko mbetet një regjisore e paarritshme
“E di ç’do të thotë të jesh një regjisore dhe aq më tepër femër, do të thotë të jesh e çmendur. Xhanfise Keko ishte e tillë dhe do të mbetet përjetësisht një madhështi në çmendurinë e saj”, theksoi Shanaj i cili tha se aktivitetet e saj të mëdha dhe të larmishme, i kanë vënë para vështirësive të mëdha krijuese për të zgjedhur ato që i kanë përfshirë në dokumentar.
“Xhanfise Keko është regjisore e madhe, jo ajo ishte por ajo është”, u shpreh regjisor Shanaj.
Në dokumentar janë dhjetë studiues dhe kineastë të shquar nga vende të ndryshme të botës të cilët gjykojnë profesionalisht regjisoren. Njëri prej tyre madje, e krahason edhe me Fransua Trufo.
“Ndërkohë, me mesazhet që na përcjell, emri i saj vazhdon t’a mbajë hapur perden e madhe në koshiencën tonë duke na porositur “Dëgjojini fëmijët se ata nuk janë ashtu si i shikoni ju”, dhe të na tregojë “çdo të thotë të krijosh familje, çdo të thotë të rritësh fëmijë””, shprehet regjisori.
Xhanfise Keko lindi më 27 janar të vitit 1928 në Gjirokastër. E filloi karrierën si montazhiere, një nga shtatë anëtarët themelues të Kinostudios “Shqipëria e Re”, më 1952. Pas një përvoje të gjatë si montazhiere e dokumentariste, filloi karrierën e regjisores, më 1971. Për 13 vjet, deri në vitin 1984, Keko realizoi 12 filma artistikë, që janë edhe sot mjaft të pëlqyer, sidomos për fëmijët. Të realizuar artistikisht, por edhe me vlera edukative, filmat e Xhanfise Kekos kanë konkuruar me dinjitet edhe në festivalet ndërkombëtare.
Përveç çmimeve e titujve të shumtë, në vitin 1984 u vlerësua me titullin e lartë “Artiste e popullit”, ka fituar edhe Kupën e Festivalit të Parë për filmin “Beni ecën vetë” në 1976. Xhanfise Keko është edhe regjisorja e parë shqiptare e vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Xhifoni (Itali), ka fituar medalje për filmat “Beni ecën vetë”, “Pas gjurmëve” dhe “Tomka dhe shokët e tij”. U nda nga jeta më 22 dhjetor të vitit 2007./ KultPlus.com