27 Tetor, 2018 - 3:27 pm
Sabina Kodra: Kërkohen shqiptarë për Shqipërinë
Isha në Romë datë 20 tetor kur mbërriti lajmi se Bujar Alimani kishte fituar çmimin e madh në Varshavë me filmin “Delegacioni”. Mend m’u mbushën sytë me lot nga gëzimi. Jo se jam shumë altruiste e madhe (zot na ruaj ditët e sotme kjo do të ishte herezi e vërtetë) por sepse fitorja e Bujarit vinte në një moment kaq kompleks e të ngarkuar emocionalisht për të gjithë ne. Sepse Artan Minarolli edhe i vdekur fitoi çmimin që e kishte ëndërruar gjithë jetën. Zot çfarë ironie! Në kufijtë e mrekullisë. Nejse përtej të gjitha notave melodramatike a patetike doja të ndaloja e të numëroja disa fakte se pse desh u qurravita në hollin e hotel “Bernini” aty ku zhvillohej merkato e MIA në orën 18:30 të datës 20 tetor (besoj nuk do ta harroj sa të jem gjallë këtë moment, vetëm nëse më zë alzaimeri apo demenca):
1. Fitorja e Bujarit është fitorja e të gjithëve, imja, jotja e të gjithëve. Ndoshta pak kush e di se çfarë konkurrence dhe vështirësie është te prodhosh sot një film, tani mendoni te shkosh në një festival të kategorisë A (janë vetëm 9 në të gjithë Evropën, ku pranohen vetëm 11-13 filma për kompeticion, ndërkohë që prodhohen mijëra filma në botë atë vit prodhimi që t’i konkurron). Imagjino të fitosh çmimin e madh. Është sikur Shqipëria të kishte fituar kampionatin europian të futbollit.
2. Bukur se ky krahasimi i fundit më pëlqeu shumë, imagjino sikur Shqipëria të kishte fituar kampionatin europian të futbollit do të ishte ngritur i madh e i vogël e do të kishte shkuar në Rinas të priste kombëtaren. Nuk po merrem fare me atë se si u prit Bujari në Shqipëri. Artistët janë natyra të duruara, e dinë se kryqi që mbajnë mbi supe është i rëndë e gëzimi i suksesit është vetëm një shkallë drejt një mali akoma më të vështirë. ARTI dhe KULTURA do të na shpëtojnë! Ndoshta duket si slogan komunisto- bolshevik, ndoshta, por jam e bindur se nuk është larg dita që energjia krijuese në këtë vend do të arrijë të ndryshojë faqen.
3. Sepse flamuri shqiptar u ngrit triumfues në Varshavë, e ne shqiptarët nuk ishim lajmi i kronikës së zezë, por faqebardhës kulture. FALEMINDERIT, Bujar Alimani për këtë fitore madhështore!