9 Janar, 2024 - 11:20 am
Filmi me titull pune “My godfather sent me an iphone” është tregim i rrënjosur thellë në përvojat dhe bisedat e përditshme të babait (Ylber Ballata) dhe djalit të tij 12-vjeçar (Miron Karahoda) si dhe eksporim prekës i lidhjeve familjare dhe kompleksitetit të zgjedhjes përballë ndryshimeve shoqërore.
Udhëtimi i tyre drejt aeroportit për të marrë një iPhone, dhuratë nga kumbari i djalit nga diaspora shndërrohet në një dialog të thellë mes tyre, ku trajtohet dilema e qëndrimit apo largimit nga vendlindja. Rrëfimi shpaloset nga ndikimi i emigrimit të miqve të tyre, gjë që e nxitë djalin të mendojë për të mirat që mund të ketë ikja nga Kosova.
Në regji të filmbërësit dhe drejtorit të fotografisë të mirënjohur ndërkombëtarisht Samir Karahoda, filmi sjell një përzierje aktorësh profesionistë dhe joprofesionistë, duke përdorur një formë hibride tregimi, i cili po realizohet tërësisht në Kosovë.
Prodhuar nga SK Pictures, i njohur për filmat e njohur si “Në mes” (Berlinale 2019) dhe “Pa vend” (Cannes 2021, Sundance 2022 filmi më i mirë i shkurtër, i nominuar si filmi më i mirë i shkurtë Europian nga Akademia Europiane e Filmit në vitin 2022), filmi ka për producent Eroll Bilibani, organizatore Valmira Hyseni dhe montazheri Enis Saraçi.
Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosoves dhe Televizioni Kulturor Europian ARTE!
Foto Credits: Ferdi Limani. / KultPlus.com