13 Maj, 2018 - 4:30 pm
Edicioni i dytë i “Ekrani i Artit” vjen si një bashkëpunim i Art House me festivalin ndërkombëtar të filmit “Lo schermo dell’arte” në Firenze, shkruan KultPlus.
Të ftuar të veçantë të Ekrani i Artit do të jenë Silvia Lucchesi, drejtoreshë e Lo schermo dell’arte dhe Leonardo Bigazzi, kurator i VISIO European Programme on Artists’ Moving Images, Ra di Martino, regjizore e “Controfigura”, njërit prej filmave që do shfaqen, Driant Zeneli, artist pjesëmarrës në programin VISIO 2017 me videon “It would not be possible to leave planet Earth unless it existed”.
Lo schermo dell`arte është një festival ndërkombëtar i filmit i cili organizohet që nga 2007 në qytetin e Firences në bashkëpunim me institucione kulturore, qendra për artin, akademi e universitete italiane e ndërkombëtare.
I lindur si një projekt që kërkon të promovojë lidhjet mes artit bashkëkohor dhe kinemasë, në të prezantohen çdo vit filma, dokumentarë mbi artin bashkëkohor të shoqëruar me instalacione video, takime me artistë e kuratorë, rezidenca për artistë ndërkombëtare, produksione dhe shpërndarje të filmave.
Këtë vit, programi i përzgjedhur sjell filma, dokumentarë e video që janë shfaqur vitin e fundit në festivalin e filmit, i cili shënoi edhe dhjetë vjetorin e themelit të tij.
Programi i projeksioneve filmike të “Ekrani i Artit” do të hapet çdo ditë me një video pjesëmarrëse në projektin VISIO 2017 si dhe filma nga programi i edicionit të fundit të Lo schermo dell’arte. Natën e hapjes do të shfaqen:
“Equivalent Units”- Danilo Correale, Itali/SHBA, 2017, 19′ “Koudelka: Shooting Holy Land”- Gilad Baram, Izrael, 2015, 72’.
Ekrani i Artit do të fillojë më 25 maj deri më 27 maj në Shkodër në Kinemanë Mileniumi./ KultPlus.com